Foto: KALLXO.com

Kosova Organizon Garën Ndërkombëtare të Matematikës

Instituti “Atomi” që merret me zbulimin e talenteve në Kosovë ka njoftuar me anë të një komunikate se Kosova ka fituar statusin e kandidatit për t’u anëtarësuar në Asociacionin Kangaroo Sans Frontieres (AKSF).

Përveç statutit të kandidatit për Kosovën në “Kangaroo”, Instituti “Atomi” është autorizuar për organizimin e garës së matematikës në Kosovë për vitin 2017 nën mbikëqyrjen e Presidentit të AKSF-së.

“Organizimi i suksesshëm i kësaj gare në vitin e parë nën mbikëqyrje nga AKSF-ja i siguron ‘Atomit’ dhe Kosovës anëtarësim të plotë si anëtare me të drejta të plota në AKSF, ku janë të anëtarësuara më shumë se 70 vende të ndryshme të botës, të përfaqësuara nga organizatat respektive të autorizuara nga AKSF-ja,” njofton “Atomi”.

Gara “Kangaroo” përbëhet nga një test i matematikës për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar (sipas moshave). Kjo garë organizohet në të njëjtën ditë në mbarë botën dhe në të marrin pjesë për çdo vit rreth 6 milionë nxënës nga më shumë se 70 shtete të ndryshme të botës.

Nga viti i ardhshëm “Atomi” do ta organizojë këtë garë të matematikës për çdo vit, ndërsa nëpërmjet saj synohet të promovohet matematika dhe rëndësia e saj në Kosovë.

“Atomi” ka kërkuar edhe bashkëpunim nga  Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe të gjitha shkollat të Kosovës për një organizim sa më të mirë dhe për pjesëmarrje sa më masive të nxënësve në garën e matematikës “Kangaroo”.