Kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë të goditura nga avionët e rrëmbyer nga terroristët - Foto: Wikimedia

Kosova Nderon Viktimat e Sulmeve të 11 Shtatorit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kujtojnë sot atentatet e 11 shtatorit 2001, të kryera 15 vjet më parë në tokën amerikane.

Afro 3.000 njerëz patën humbur jetën në sulmet e organizatës terroriste “Al Qaeda” në New York dhe Washington.

Anëtarë të kësaj organizate patën rrëmbyer avionë udhëtarësh, të cilët i kishin përplasur në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë dhe në ndërtesën e Pentagonit.

Me rastin e këtij përvjetori, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë një postim në profilin e tij në “Facebook”, në të cilin ka thënë se jemi pranë popullit mik amerikan për të ndarë me të dhimbjen për humbjen e mbi 3 mijë qytetarëve të pafajshëm, si dhe për të shprehur angazhimin tonë të palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.

“Ato akte mizore terroriste ishin sulm ndaj mbarë botës së lirë e demokratike që synonin të shkelnin mbi parimet dhe vlerat humane universale, të cilat ne i konsiderojmë të shenjta e të paprekshme, prandaj ne i jemi mirënjohës shtetit amerikan për udhëheqjen e luftës kundër terrorizmit botëror”, ka shkruar presidenti, duke kujtuar se në ato sulme humbën jetën edhe tre bashkëkombës tanë, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj
“Kjo ditë përkujtuese duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një thirrje kundër dhunës, jotolerancës, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit”, ka shkruar ndër të tjera Thaçi.

Ndërsa, pasi ka shprehur nderimin dhe duke përkujtuar të gjithë viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, kryeministri Isa Mustafa ka theksuar përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta globale, të udhëhequra nga SHBA-të, në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm.

“Nga atëherë, vende të ndryshme të botës ishin cak i sulmeve terroriste dhe viktima të shumta të pafajshme pësuan nga këto akte barbare. Por, koha po e dëshmon se bota demokratike në krye me SHBA-të, e prirë nga vlerat më të larta humane, është sot më e fortë dhe më e vendosur në përballje me këtë të keqe globale”, thekson kryeministri Mustafa sipas një komunikate të Qeverisë.

“SHBA-të, populli i saj dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në mbarë botën, përkundër dhimbjes së pamasë, nuk u gjunjëzuan më 11 shtator dhe janë sot më të përkushtuar se kurrë në fuqizimin e vlerave të lirisë, të demokracisë e të mirëqenies, anekënd globit”, ka thënë kryeministri sipas kësaj komunikate të Qeverisë.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë një postim në profilin e tij në “Facebook” në lidhje me përvjetorin e atentateve të 11 shtatorit 2001.

“Edhe në këtë ditë si gjithnjë ne i përkujtojmë të gjithë viktimat e këtij sulmi terrorist, dhe e ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave, mbarë popullin amerikan, si dhe me institucionet e shtetit të ShBA-ve”, ka shkruar Haradinaj.

“Në luftën kundër terrorit dhe në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë jemi bashkë, në çdo kohë!”, ka thënë ai.

Në New York, ndërkaq, do të zhvillohet një ceremoni  përkujtimore afër vendit ku kanë qenë kullat binjake, ku do të lexohen emrat e të gjitha viktimave të sulmeve të 11 shtatorit.

Dy kandidatët për zgjedhjet presidenciale, demokratja Hillary CLinton dhe republikani Donald Trump do të marrin pjesë në këtë ceremoni.

Ndërsa, presidenti Barack Obama do të mbajë një minutë heshtje në Shtëpinë e Bardhë, pastaj do të shkojë në Pentagon për një ceremoni përkujtimore, njofton AFP.