Edita Tahiri, Ministre për Dialog

Kosova Ndalon Përdorimin e Letërnjoftimeve Paralelë Serbë

Që nga e hëna, bartësit e letërnjoftimeve të lëshuar nga strukturat paralele të Serbisë nuk do të kenë të drejtë t’i përdorin ato në hyrje-daljet e Kosovës.

Ministria për Dialog ka bërë të ditur sot se duke filluar nga data 18 prill 2016 nuk do të lejohet hyrje/dalja në Republikën e Kosovës për të gjithë personat që posedojnë lejet ilegale të njoftimit të lëshuara nga këto struktura.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, tha sot se pavarësisht përpjekjeve në kuadër të dialogut për ta ndaluar përdorimin e këtyre dokumenteve, ka ende raste të përdorimit të tyre.

“Në dhjetor të vitit të kaluar, kemi aplikuar masën e ndalesës për lejet ilegale dhe me kërkesën e Bashkimit Evropian kemi suspenduar këtë masë që t’i japim mundësi BE-së ta zgjidh këtë çështje”, tha Tahiri.

Ajo tha se kjo çështje është ngritur sërish gjatë muajit të kaluar në Bruksel ku, sipas saj, është arritur pajtimi që Qeveria e Kosovës ta kthejë në fuqi masën e ndalesës në rast se nuk zgjidhen problemet.

“Pavarësisht angazhimeve ndërmjetësuese të BE-së ky problem ka vazhduar, meqë ende ka raste të kësaj dukurie të përdorimit të lejeve ilegale nga persona të ndryshëm”, tha Tahiri.

“Për këtë masë ndalesë jemi marrë vesh me BE-në si dhe paraprakisht e kemi njoftuar BE-në për vendimin dhe datën e rikthimit të masave ndaluese”, u shpreh ajo.