Komuna e Vitisë e pakënaqur me cilësinë e asfaltit, obligon kompaninë të bëjë ri-asfaltim

Komuna e Vitisë ka treguar se është e pakënaqur me asfaltimin e shtruar në segmentin e rrugës prej Xhamisë së qytetit deri te Restauruat “Lindi”.

Pasi shfaqi pakënaqësitë në lidhje me mos asfaltimin kualitativ, Komuna ka obliguar kompaninë që të ri-asfaltojë të njëjtin segment.

E njëjta komunë ka dhënë sqarime në lidhje me siç thonë ata disa dezinformata që ka publikuar opozita.

“Për hir të njoftimit të drejtë të opinionit publik, dhe pas lansimit të disa dezinformatave të opozitës, ju njoftojmë se gjatë vitit të shkuar në qytetin e Vitisë, është bërë asfaltimi i segmentit të rrugës prej Xhamisë së Qytetit deri të Restorant “Lindi” dhe pas analizave të bëra, ka rezultuar se cilësia e asfaltit të shtruar është e dobët dhe si e tillë e papranueshme. Prandaj Komuna e Vitisë, nuk ka pranuar punimet që ka përfunduar me cilësi të dobët në asfaltimin e kësaj rruge dhe ka kërkuar që të bëhet riasfaltimi në cilësinë e duhur”, thuhet në njoftimin e komunës.

Tutje ata thonë se Komuna nuk do të bëjë pagesë për ri-asfaltimin e rrugës.

“Gjithashtu dëshirojmë të ju njoftojmë se udhëheqja komunale e Vitisë, nuk do të bëjë pagesë për riasfaltimi të rrugës në fjalë dhe ka kërkuar nga operatori ekonomik që cilësia e asfaltit të jetë në nivel të duhur dhe të përfundojnë punimet sipas planit dinamik brenda 7 ditëve të punës”, thuhet tutje në njoftim.