Mbledhja e Kuvendit Komunal të Vitisë

Kuvendi Komunal i Vitisë diskuton raportin e ekipit të Auditimit Social (VIDEO)

Kuvendi Komunal i Vitisë ka diskutuar më 26 dhjeto raportin e ekipit të Auditimit Social, i cili është formuar për të monitoruar projektin për zgjerimin, renovimin dhe asfaltimin e rrugës “Kongresi i Manastirit” në këtë komunë. Në këtë seancë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të ekipit të Auditimit Social në Viti.

Një grup prej 18 qytetarëve, të profesionave e moshave të ndryshme, u bënë pjesë e ekipit të Auditimit Social në Komunën e Vitisë dhe për disa muaj kanë monitoruar realizimin e projektit “Renovimit, asfaltimit dhe zgjerimi i trasesë dhe trotuarit në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’ Viti – Faza e II-të”.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, ka njoftuar asamblistët me punën e ekipit të Auditimit Social në Viti dhe monitorimin që i është bërë projektit të rrugës “Kongresi i Manastirit”, gjetjet dhe rekomandimet e të cilëve janë vendosur në raportin 29-faqësh.

Si rezultat i punës së ekipit të Auditimit Social, komuna ka premtuar se do të ndërmarrë hapa për të përshtatur hapësirat për personat me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, si rezultat i punës së ekipit të Auditimit Social, Komuna ka ndërmarrë hapa për të zëvendësuar kubëzat e dëmtuara në projekt.

Raportin e plotë të ekipit të Auditmit Social në Komunën e Vitisë mund ta lexoni në këtë LINK.

Gjithashtu, më poshtë mund të shihni dokumentarin që shfaq pamjet e punës disamujore të ekipeve të Auditimit Social në pesë komunat e përzgjedhura, duke filluar nga trajnimi i qytetarëve mbi procesin e Auditimit Social, takimet dhe diskutimet e shpeshta të grupeve, vizitat në terren, takimet me udhëheqësit komunalë dhe finalizimin e raporteve.

BIRN Kosova është angazhuar nga DEMOS për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në pesë projektet e përgjedhura në Drenas, Suharekë, Kaçanik, Han të Elezit dhe Viti.

Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.

Auditimit Social përkrahet nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bashkëfinancuar nga BE-ja, Suedia dhe Norvegjia, dhe zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo.