Komuna e Prizrenit largon reklamat  e vendosura mbi Qendrën Historike

Komuna e Prizrenit përkatësisht Drejtoria e Inspektorateve, gjatë ditës së sotme ka filluar me largimin  e reklamave të vendosura mbi kulm brenda Qendrës Historike të Prizrenit.

“Drejtoria e Inspektorateve ka filluar të ekzekutojë Vendimin Komunal për Rregullimin e Qytetit dhe të Shërbimeve Komunale, si dhe Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke i larguar reklamat të cilat janë të vendosura mbi kulm brenda Qendrës Historike të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.

Tutje në këtë njoftim bëhet e ditur që ky aksion do të vazhdoj edhe në ditët në vijim.

“Aksioni i filluar sot, në bashkëpunim me Njësitin e Zjarrfikësve dhe Policinë e Kosovës, do të vazhdojë edhe në ditët në vijim derisa të largohen të gjitha reklamat që janë në kundërshtim me ligjin. Pas largimit të reklamave mbi kulm, Drejtoria e Inspektorateve do të bëjë vlerësimin edhe të reklamave të vendosura në ballinë të objekteve, të cilat nuk janë të pajisura me leje përkatëse”, thuhet tutje në njoftim.