Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa i pasur është deklaruar të jetë kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj?

Kryetari i Komunës së Prizrenit, njëhërësh kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në këtë qytet, Shaqir Totaj, i ka deklaruar 500 mijë euro pasuri të paluajtshme.

Në formularin e deklarimit të pasurisë, ai e ka shkruar një truall prej 221 metrave katrorë në vlerë prej 300 mijë euro, si dhe një objekt afarist prej 680.06 metrash katrorë në vlerë 200 mijë euro.

Pos këtyre, Totaj i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit tri vetura në shfrytëzim nga familja. Personalisht ka thënë se posedon veturë Audi të cilën e ka vlerësuar me 20 mijë euro. Ndërsa, dy veturat e tjera ka deklaruar se janë në pronësi të fëmijëve të tij. Njëra veturë është e tipit Volkswagen në vlerë prej 8 mijë euro, ndërsa tjetra është vlerësuar 19 mijë euro.

Totaj ka deklaruar se në vitin 2022 ka marrë kredi për blerje të veturës dhe se i kanë mbetur edhe 5 mijë e 500 euro për t’i kthyer.

Tutje, ai ka deklaruar se në bankë posedon 11 mijë e 355 euro e 74 centë kursime nga të hyrat vjetore.

Pagë vjetore si Kryetar Komune, Totaj i ka deklaruar 16 mijë e 405 euro e 32 centë, ndërsa 680 euro i ka shkruar si mëditje.

Në deklarim të pasurisë, ai e ka paraqitur si të hyrë edhe qiranë në vlerë prej 31 mijë e 863 euro e 28 centë që merr nga objekti i tij afarist.

Shuma totale e të hyrave të Totajt brenda vitit 2023 është 48 mijë e 948 euro e 60 centë.

Ai ka deklaruar edhe të hyrat vjetore të prindit nga pensioni bazë, në lartësi prej 1 mijë e 200 euro si dhe pagat e dy fëmijëve të tij që së bashku arrijnë shifrën prej 19 mijë e 860 euro.

Linku për qasje në deklarimin e pasurisë së Shaqir Totajt.