Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Komuna e Mitrovicës punësoi 46 persona me kontrata mbi vepër

Komuna e Mitrovicës ka angazhuar 46 punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta.

Punësimi i tyre ishte bërë duke mos aplikuar procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit, ashtu siç parashihet me Ligjin për Shërbimin Civil.

Kjo është një nga të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Mitrovicës për vitin 2018.

“Për me tepër në tre raste të angazhuarit me marrëveshje për shërbime të veçanta ishin për pozita të rregullta dhe nuk kishin të bënin me punë specifike”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori bën  të ditur se mos aplikimi i procedurave të thjeshtësuara të rekrutimit ishte si pasojë e mos zbatimit të kërkesave ligjore nga komuna.

ZKA shton se sipas zyrtarëve, kjo ka ndodhur meqë drejtoritë kanë bërë kërkesë për rekrutim pa procedura të thjeshtësuara.

Mungesë e konkurrencës së mirëfilltë, rritë rrezikun që të angazhohen personat jo kompetent për pozitat përkatëse. Mbulimi i pozitave të rëndësishme me marrëveshje të përkohshme, rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rritë pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat”, thuhet më tej në raport.

Auditori ndër të tjerash, ka dhënë rekomandimet se kryetari duhet të sigurojë një plan të arsyeshëm për punët që ndërlidhen me shërbimet me marrëveshje të veçanta.

“Po ashtu, nevojat shtesë për punëtorë me pozita të rregullta, t’i trajtoj me organet përkatëse dhe të gjendet zgjidhja e pranuar, të parashikohen me rastin e planifikimeve buxhetore. Po ashtu, në rast të punësuarve me marrëveshje dhe shërbime të veçanta të aplikojë procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit ashtu siç parashihet me aktet e përcaktuara ligjore”, thuhet në rekomandimet e ZKA-së për Komunën e Mitrovicës.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur publikimin e raporteve të auditimit për vitin 2018.