Komuna e Gjilanit dhe MASHT në Konflikt për Testin e Arritshmërisë

Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan vlerëson se anulimi i testit të arritshmërisë për këtë komunë dëmtoi nxënësit.

Takimi i sotëm informues rreth organizimit të testit të maturës u shndërrua në debat mbi vendimin e anulimit të testit të arritshmërisë në  komunat e Gjilanit, Dragashit dhe Hanit të Elezit

Nazmi Musa, Drejtor i Arsimit në Gjilan  paralajmëroi për tërheqjen e tij nga organizimi i testit të ardhshëm  në Gjilan nëse nuk tërhiqet vendimi i ministrisë për anulimin e testit në këtë komunë.

“Unë e lus edhe një herë ministrin dhe të gjithë komisionerët e komisionit vlerësues që ta tërheqin këtë vendim se përndryshe nuk marr përgjegjësi për organizimin e testit të semimaturës më 8 qershor”, deklaroi Musa

Nazmi Musa, drejtor komunal i Arsimit në Gjilan. Foto: Kallxo.com
Nazmi Musa, drejtor komunal i Arsimit në Gjilan. Foto: Kallxo.com

Ndërkaq, Arsim Bajrami, ministër i Arsimit konsideron se rezultati aq i lartë i nxënësve në këtë komunë nuk është i besueshëm dhe do të vërtetohet në përsëritjen e tij.

“Absolutisht askush nuk ka asnjë tendencë t’i dëmtojë nxënësit. Ne kemi vetëm dëshirë ta bëjmë vlerësimin real të nxënësve. Fakti që përqindja  e kalueshmërisë ka dalë 79 përqind, është vlerësuar nga ekspertët si një rezultat jo i besueshëm”, konstaton Bajrami.

MASHT ka arsyetuar vendimin e tyre për anulim edhe përmes një njoftimi zyrtar sipas të cilit, nxënësit e klasëve të nënta në këto tri komuna duhet ta përsëritin testin e arritshmërisë për shkak se treguan rezultate më të larta në krahasim me nivelin e përgjithshëm.

“Pas përpunimit dhe vlerësimit profesional të rezultateve nga zyrtarët kompetent në DVSM, sipas fushave lëndore dhe sipas komunave, ekipi i ekspertëve ka vlerësuar se shkalla e arritshmërisë në komunat: Dragash, Gjilan dhe Hani i Elezit, është në shpërputhje me rezultatet e komunave tjera dhe me mesataren e përgjithshme në nivel të vendit”, thuhet në njoftim.

Testi i arritshmërisë në këto tri komuna do të përsëritet më 8 qershor dhe rezultatet do të dalin më 10 qershor.