Sa nxënës u larguan nga Testi i Arritshmërisë dhe Maturës? Flasin nga MASHTI
Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Monitorim dhe Vlerësim në Ministri të Arsimit tha në “Kallxo Përnime” se nga Testi i Arritshmërisë janë përjashtuar rreth 50 nxënës, kurse në atë të Maturës rreth 120 nxënës.
“Në Testin e Arritshmërisë janë përjashtuar rreth 50 nxënës në dy fazat e mbajtura, kurse në testin e maturës deri tani i kemi evidentuar mbi 120 nxënës të përjashtuar nga Testi i Maturës”, tha Elezi.
Ai shtoi se në bazë të vlerësimeve të tyre ndër vite, jo të gjitha përgjigjet e publikuara të testeve në rrjete sociale kanë përputhje me testet e plotësuara të nxënësve.
“Shumë prej përgjigjeve që janë në rrjete sociale kanë shumë pak ose pak përputhje me rezultatet që i bëjnë nxënësit në teste. Do të thotë zhurmë në rrjete sociale është shumë më e madhe sesa efekti në klasë. Nuk kemi gjetë në vitet e kaluara që përputhet 100% një përgjigje e nxënësve me një postim në Facebook”, tha Elezi më tej.