KALLXO 360: Grevë Nën Qiell të Hapur

Ish-punëtorët e Fabrikës së Gypave të Ferizajt vazhdojnë grevën e tyre të nisur 661 ditë më parë. Mirëpo, për dallim nga deri para dy javësh, grevën tani po e mbajnë nën qiell të hapur.

Kjo për shkak se Policia më 26 shkurt ua ka hequr tendën e ngritur para ndërtesës së Qeverisë, në të cilën ata mbanin grevën.

Nijazi Asllani, kryetar i Këshillit Grevist tha për KALLXO.com se Policia i kishte urdhëruar më 26 shkurt ta lëshonin tendën dhe të mos qëndronin aty.

“Në ditën kur zhvillohej protesta e opozitës, më 26 shkurt, ne ishim të gjithë në tendë dhe papritmas në ora 18: 30 u fut një polic me uniformë të njësive speciale dhe na urdhëroi që për 5 minuta të lëshojmë tendën“, tha ai.

Asllani tregoi se qëndruan dy ditë në stacionin policor dhe të nesërmen në mbrëmje policia u tha që të dalin nga stacioni.

“Të nesërmen në mbrëmje përsëri me dhunë na larguan nga stacioni policor, duke mos na lejuar të qëndrojmë as në trotuar. Na u detyruam të shkonim në shtëpi e të nesërmen në mëngjes herët përsëri të ktheheshim në vendin ku e kishim tendën”, shtoi ai.

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave kërkuan në Inspektoratin Policor arsye pse u është hequr tenda, por asnjëherë nuk morën përgjigje.

Kërkesa e tyre, sipas Nijazi Asllanit, është pagesa e borxhit që ata pretendojnë se duhet t’ua paguajë Qeveria dhe AKP-ja pas privatizimit të Fabrikës.

“Deri sa nuk paguhet borxhi, ne nuk e ndërpresim grevën. Dhe pasi që tani mungon tenda ne në këtë formë e vazhdojmë grevën”, tha kryetari i grevistëve, i cili bashkë me kolegët rrinin ulur në ulëse plastike në mes të sheshit Skënderbeu”.

Tani ata kërkojnë që t’u kthehet tenda. “Kërkesa jonë është që të na kthehet tenda dhe të vazhdojmë grevën ashtu siç e kemi vazhduar më parë, sepse në këto kushte rrezikohet edhe shëndeti i grevistëve, për të cilët aspak nuk merakosen këta qeveritarë sepse nuk janë në shërbim të popullit por janë në shërbim të oligarkisë së tyre“, tha Asllani.

Ahmet Sylejmani, anëtar i Këshillit të Grevistëve, tha se Policia ua ka shkelur të drejtën e grevës, dhe ankohet nga mënyra e arrestimit të tyre nga Policia.

“Në atë moment me dhunë na kanë kapur për krah neve pleqve, njerëz të rraskapitur, njerëz që kemi qenë tejet të zhgënjyer, prej të ftohtit, prej gjendjes së rëndë shëndetësore, e ata me dhunë na kanë kapur e na kanë futur në kerret e policisë“, tha Sylejmani.

Grevistët kanë bërë ankesë edhe te kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Sipas tyre, kërkesa është ende duke u shqyrtuar.