Besim Ilazi, kryetar i komunës së Kaçanikut/ Foto: Atdhe Mulla

Kaçaniku i Punësimeve të Dyshimta dhe ‘Borës së Qershorit’

Besim Ilazi, trashëgoi në postin e kryetarit të Komunës së Kaçanikut,  Xhabir Zharkun, i cili ndër të tjera mbahet mend për palmat e mbjella në qytetin e ftohtë dhe për arratisjen nga drejtësia pasi mori dënimin nga gjykata.

Besim Ilazi, në mandatin e tij të dytë si kryetar komune, por të parin mandat të plotë, vlerësohet se është më i  hapur, më i qasshëm dhe më komunikues se pararendësi i tij, por vetëm kaq. Pjesa tjetër e vlerësimit për Ilazin, nga opozita dhe shumë qytetarë është më i zbehët.

Emisioni “Jeta në Komunë”, dy vjet pas realizimit të debateve zgjedhore, pjesë e të cilave ishte edhe Komuna e Kaçanikut, kthehet në këtë komunë për të parë se sa janë realizuar premtimet e dhëna nga kryetari Besim Ilazi.

Komuna e Kaçanikut, si një komunë relativisht e vogël me rreth 33 mijë banorë, problem madhor e ka zhvillimin ekonomik,  e zhvillimi ekonomik ishte njëri nga premtimet kryesore të Ilazit që bindi qytetarët e Kaçanikut t’ia besojnë udhëheqjen e komunës.

Në këtë drejtim, Komuna e Kaçanikut, ka të përcaktuara tre zona industriale të parapara për vendosjen e bizneseve, por interesimi i bizneseve në njërën anë dhe investimet e komunës në këto zona janë pothuajse inekzistente.

Zonat Industriale pothuajse janë të paprekura, ndërsa mbase për këtë arsye asnjë biznes nuk ka shprehur interesimin për t’u vendosur aty.

Komuna e Kaçanikut, çdo vit parasheh një shumë prej 10 mijë euro për t’u investuar në këto zona, por kryetari thotë se kjo shumë është shumë e vogël, ndërsa janë në pritje të ndonjë ndihme financiare  nga niveli qendror sepse nuk kanë mundësi financiare për ta bërë këtë vetë.

Dritë në fund të tunelit për zhvillim në Komunën e Kaçanikut, mund të konsiderohet hapja e fabrikës për përpunimin e qeseve të najlonit “KIVO”, si një biznes i cili u ka ofruar punë 60 punëtorëve, shumica prej të cilëve janë nga Komuna e Kaçanikut.

Kryetari Ilazi ndër të tjera kishte premtuar edhe krijimin e një krime mirëbesimi në mes të komunës dhe qytetarëve, e nga opozita u tha se dhënia e tenderit për sigurimin fizik të objekteve të komunës kompanisë së vëllait të nënkryetarit të komunës, nuk ka kontribuar në këtë drejtim.

Kryetari Ilazi duke u përgjigjur në pyetjen se pse pikërisht vëllai i nënkryetarit duhet të fitojë një tender nga komuna, u arsyetua duke thënë se ai tender tri vjet me radhë para këtij aktual ishte fituar nga një kompani tjetër, e edhe nëse këtë vit e ka fituar kompania e vëllait të nënkryetarit, ligji nuk e sanksionon këtë.

Asamblisti nga Iniciativa Qytetare e Kaçanikut, Shukri Luta, tha se nënkryetari i komunës Remzi Elezi është udhëheqës i komunës së  Kaçanikut, e jo Besim Ilazi.

Çështja e tenderëve u theksua edhe nga asamblisti tjetër Artan Shehu (LDK), i cili tha se shumica e tenderëve në komunën e Kaçanikut janë vetëm nga tre tenderues sepse mungon interesimi për këta tenderë sepse ofertuesit dekurajohen.

Shehu tha më tej se në Komunën e Kaçanikut janë tri firma të lidhura me pushtetin që fitojnë shumicën e tenderëve.

Kryetari Ilazi i mohoi të gjitha këto, duke thënë se ato tri kompani janë nga Kaçaniku dhe ato për 15 vite kanë fituar tenderë, shumë kohë para ardhjes së tij.

Probleme në Komunën e Kaçanikut ka gjetur edhe raporti i Auditorit të Përgjithshëm që ka dhënë 21 rekomandime Komunës së Kaçanikut.

Lidhur me numrin relativisht të madh të rekomandimeve nga të gjeturat e ZAP-it, kryetari e pranoi se kanë vështirësi por tha “nganjëherë është e pamundur të evitohen”.

Temë diskutimi që zuri një vend të rëndësishëm në debat ishte edhe zgjedhja e axhës së Besim Ilazit, si drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik.

I gjendur nën akuzat se opozitës se e bëri drejtor të QKMF-së pa konkurs axhën e tij, Ilazi mohoi këto akuza duke thënë se është e drejtë e secilit të konkurrojë dhe të zgjidhet, ndërsa zgjedhjen e ka bërë komisioni përkatës.

Lidhur me këtë çështje, Ilazit iu tregua edhe xhirimi ku ai në zgjedhjet e vitit 2013 kishte thënë “se nuk do të ketë në Komunë Ilaza të tjerë të punësuar”. Ilazi tha se ai nuk e kishte punësuar axhën e tij por se ai ishte i punësuar si stomatolog në QKMF për një kohë të gjatë.

Kryetari Ilazi po ashtu nga prezantuesja e emisionit u përball me vendimin e lëshuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, lidhur me konkursin në QKMF, ku evidentohen disa shkelje ligjore, ndër të cilat ajo se konkursi për drejtor të QKMF-së ishte hapur para se të merrej aprovimi nga Ministria e Administratës Publike, e gjithashtu shkelje ishte gjetur edhe me faktin se sipas statutit të QKMF, drejtori duhej të ishte mjek familjar e jo stomatolog.

Kryetari Ilazi tha se e kishin kërkuar arsyetimin nga niveli qendror, por se përgjigja e tyre ishte vonuar më shumë se afati ligjor, por edhe kur kishte arritur përgjigja lidhur me konkursin ajo kishte qenë pozitive. Ilazi gjithashtu u arsyetua duke thënë se kërkesa për mjek të mjekësisë familjare ka qenë por është thënë se kanë prioritet, ndërsa nuk ka përjashtuar edhe të tjerët.

Moderatorja e emisionit edhe njëherë i rikujtoi kryetarit vendimin e KMP-së që kishte kërkuar anulimin e konkursit për zgjedhjen e drejtorit, por kjo nuk ka ndodhur.

Kritika ndaj kryetarit për punësime pati edhe asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili tha se nga 12 shkolla të mesme sa ka Kaçaniku, të gjitha janë nga radhët e PDK-së.

Po në arsim, u diskutua edhe lidhur me punësimin e asamblistes Lirije Qeli si mësimdhënëse në fshatin Ivajë, pikërisht pasi ajo kaloi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në PDK.

Kryetari Ilazi u arsyetua duke thënë se kjo ka ndodhur për arsye se nuk ka pasur kandidat të tjerë dhe pasi që asamblistja është prej atij fshati.

Nga radhët e AAK-së në PDK, kanë kaluar tre asamblistë, duke i mundësuar kështu PDK-së që të qeverisë e vetme me Kaçanikun.

Pikërisht këtë kalim të asamblistëve nga AAK në PDK, asamblisti tjetër nga radhët e LDK-së Artan Shehu e sheh si fillimin e keqpërdorimeve në këtë komunë.

“Keqpërdorimet kanë filluar nga koha kur asamblistët e AAK-së kaluan në PDK. E keni edhe këtë që këta kanë hequr borë gjatë verës. Prej periudhës prill- qershor të vitit të kaluar këta i kanë shpenzuar diku rreth 27 mijë euro që i kanë hequr borë në qytet”, tha Artan Shehu.

Kryetari Ilazi tha se ky rast ka të bëjë me mirëmbajtjen verore-dimërore të rrugëve dhe nuk përcaktohet a largon borë apo baltë, por Shehu reagoi duke thënë se për atë që e tha e ka edhe dokumentin.

Mirëmbajta e rrugëve në Komunën e Kaçanikut u diskutua edhe më tej, ku evidentuan shumë rrugë me probleme, ndonëse të shtruara në dy vitet e fundit, si rruga për në fshatin Llanisht, pastaj rruga Gajre-Ivajë –Shtrazë ku vazhdimisht ka probleme me rrëshqitjen e dheut.

Kryetari tha se mirëmbajtja e rrugëve vazhdimisht bëhet por relievi i vështirë i Komunës së Kaçanikut kërkon një kosto të lartë për mirëmbajtjen e tyre.

Rruga Dubravë –Rekë si një investim prej afër 800 mijë euro u përmend si një investim i suksesshëm. Si sukses në infrastrukturë u përmend edhe ndërtimi i QKMF-së që është në ndërtim e sipër.

Sporti në Kaçanik vazhdon të ketë probleme pasi që palestra është në ndërtim por ka zvarritje të punimeve, ndërsa edhe stadiumi i futbollit është po ashtu në ndërtim.

Për dy vitet e mbetura të mandatit të tij, Ilazi nuk pati ndonjë premtim konkret përveç asaj se premtoi se do të përpiqet që të tërheq edhe investime nga niveli qendror, do të vazhdoj me subvencionin e bujqve të komunës, dhe varësisht prej prioriteteve të qytetarëve dhe në përputhje me mundësitë buxhetore do të përcaktojnë prioritetet e komunës.

Ilazi për zhvillimin e komunës së Kaçanikut kërkoi mbështetjen e nivelit qendror.