Gjykimi ndaj ish - asamblistit të PDK-se - Gjakove - 26.02.2019 - FOTO KALLXO

Ish- asamblisti i PDK-së mohon akuzën për deklarim të rremë të pasurisë

Ish- asamblisti i PDK-së në Gjakovë, Ilir Beqiri, i cili po akuzohet për mos-raportim ose raportim të rremë të pasurisë, u deklarua i pafajshëm.

“Unë nuk e pranoj fajësinë, ngase në periudhën kohore 1-31 mars 2017 nuk kam qenë asamblist dhe pasi që kam lënë pozitën e këshilltarit e kam deklaruar të gjithë pasurinë. E ndoshta nga mosdija ime nuk i kam paraqitur edhe të ardhurat për punën që bëjë tek klinika private “Fati im”. Andaj nuk kam pasur arsye të deklaroj rrejshëm sepse të gjitha mjetet janë bërë përmes xhirollogarisë”, deklaroi ish asamblisti Beqiri.

“Policia ka ardhur në shtëpi, ka hyrë dhe më ka shqetësuar djalin tim të cilin e kam me të meta, andaj unë do të ngriti padi ndaj tyre”, shtoi i akuzuari Ilir Beqiri.

I njëjti tashmë punon si specialist i anestezionit në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë.

Seanca fillestare në muajin janar 2019 kishte dështuar të mbahej, si pasojë e mungesës së të akuzuarit.

Sipas aktakuzës, Ilir Beqiri po akuzohet se nuk ka bërë deklarim të pasurisë apo të ardhurave, e këtë duke e ditur që si këshilltar në Asamblenë Komunale në Gjakovë, duhej ta bënte.

Duke mos respektuar ligjin ai nuk i kishte dërguar të dhënat në afatin ligjor në Agjencinë kundër Korrupsionit në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se të dhënat e kërkuara për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2016, nuk i kishte shënuar saktë.

Gjyqtari i rastit Mentor Bajraktari, caktoi seancën e dytë për datën 2 prill.