Isa Mustafa | Foto: RTV 21

Isa Mustafa: Thaçi më tha që taksa mund ta rrezikoj prezencën ushtarake Amerikane në Kosovë

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka vazhduar të flasë për vizitën që i ka bërë në shtëpinë e tij, presidenti Hashim Thaçi, javën e kaluar.

Në një konferencë për media, Mustafa tha se presidenti Thaçi nuk i ka kërkuar asgjë të veçantë, por  siç tha ai, vetëm e ka njoftuar me shqetësimet e SHBA-së, kundrejt tarifës doganore.

“Nuk e kam takuar vetëm zotin Thaçi, jemi takuar edhe me kryeministrin Haradinaj. Ia kam sqaruar qëndrimet e LDK-së. Kam takuar edhe zotin Limaj dhe zotin Kurti, akoma po kam probleme me dal dhe njerëzit kanë ardh në shtëpinë time. Zotëri Thaçi nuk ka kërkuar diçka të veçantë. Kur ka thirr me ardh ka thënë që e sheh të domosdoshme me na njoftu me bisedën qe ka pas me zyrtarët e lartë të SHBA-së. Ka thënë se me qëndrimin për tarifën mund të rrezikohet prania ushtarake amerikane në Kosovë dhe se ky do të ishte problem i madh për të gjithë”, tha ai.

Mustafa shtoi se nuk ka marrë asnjë ofertë për rrëzim të qeverisë as nga PDK-ja.

“Unë personalisht s’kam marr ofertë kurrë as nga PDK as nga zoti Thaçi. Ne si LDK bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje po bëjmë përpjekje maksimale që ta rrëzojmë qeverinë. Opozitë e konsiderojmë vetëm LVV-në.  Kjo është qeverisja e PDK-së dhe jo e AAK-së, prandaj nëse PDK do ta rrëzojë qeverinë, duhet së pari ta rrëzojë veten”, u shpreh kreu opozitar.