Inspektorati Policor i Kosovës - Foto: KALLXO.com

IPK dhe Policia Sqarojnë Rastin e Arrestimit të Policit

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Policia e Kosovës përmes një komunikate të përbashkët njoftojnë se mbrëmë rreth orës 20:00 në pikën kufitare të Vërmicës nga Policia Kufitare është ndaluar vetura “Opel Astra” (me targa të Kosovës), të cilën e drejtonte një zyrtar policor dhe në të cilën si bashkudhëtar ishte edhe një zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur një armë automatike “AK-47” me një karikator me 30 fishekë dhe një pistoletë e tipit “TT” me tetë fishekë.

Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, Policia Kufitare ka njoftuar hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Hetuesit kanë kontaktuar me prokurorin kompetent, i cili ka urdhëruar konfiskimin e armëve dhe me vendim të tij ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së dhe Policisë.

Si pjesë e procedurës administrative ndaj zyrtarit policor është marrë edhe masa e suspendimit nga detyra deri në përfundimin e procedurës hetimore.

KALLXO.com raportoi sot për rastin e arrestimit të mbrëmshëm në pikën kufitare të Vërmicës. Zyrtari policor i arrestuar është ish-shefi i operativës për regjionin e Mitrovicës Jugore, Nexhip Gashi.

http://kallxo.com/eprori-policise-se-mitrovices-arrestohet-per-armembajtje-pa-leje/

Po ashtu, KALLXO.com raportoi se zyrtari i Shërbimit Korrektues të Kosovës i arrestuar bashkë me zyrtarin policor është Tahir Demiri, ushtrues detyre i shefit të administratës në SHKK.

http://kallxo.com/zyrtari-larte-md-se-arrestohet-per-armembajtje/