Organizata ACDC organizon të enjten diskutim publik për punën e Inspektoratit Policor të Kosovës

Puna, mandati, fushëveprimtaria e juridiksioni i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) do të prezantohen në një diskutim publik më 07.03.2024 nga ora 11:00 në ambientet e Qendrës për Energji Qytetare në Mitrovicën Veriore.

I organizuar nga organizata joqeveritare ACDC – Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike, paneli përbëhet nga shefi i Divizionit për marrëdhënie me publikun dhe bashkëpunim ndërkombëtar në IPK, Arbër Beka, hetuesi i IPK-së, Zoran Ristiq, dhe drejtori ekzekutiv i OJQ -së ACDC, Dushan Radakoviq.

Sipas njoftimit, në këtë diskutim do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile, media dhe banorë nga veriu i Kosovës.

“Objektivi parësor i këtij diskutimi është të nxisë një kuptim më të thellë të Inspektoratit Policor dhe punës së tij në nivel lokal, veçanërisht nga pikëpamja e komuniteteve të prekura që banojnë në veri të Kosovës. Duke bashkuar këta akterë, ne synojmë të rrisim ndërgjegjësimin, bashkëpunimin dhe promovimin e të drejtave të banorëve” – thuhet në njoftimin e ACDC.

ACDC shton se kjo ngjarje paraqet një mundësi unike për të adresuar problemet që janë në juridiksionin e Inspektoratit Policor të Kosovës, për të mbledhur njohuri të vlefshme nga panelistët dhe pjesëmarrësit dhe për të krijuar një kornizë për bashkëpunim në të ardhmen.