Inspektorati Policor i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Vrasja e Lulzim Fejzullahut, IPK inicion procedurë disiplinore ndaj zyrtarit policor që ndryshoi raportin fillestar

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit policor i cili ka ndryshuar raportin fillestar lidhur me vrasjen e Lulzim Fejzullahut në Podujevë.

IPK ka bërë të ditur se vendimin për inicimin e procedurës disiplinore ndaj zyrtarit policor e mori pas një hetimi të bërë lidhur me trajtimin e këtij rasti.

Inspektorati thotë se raporti fillestar nga stacioni policor në Podujevë është ndryshuar nga një zyrtar policor i Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë. IPK thotë se inicimi i procedurës disiplinore është bërë ndaj një zyrtari përgjegjës.

I riu Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14 janar dhe ka vdekur më 20 janar në QKUK si pasojë e plagëve të rënda.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës më 15 janar  thuhej se i riu ishte therur me thikë nga të dyshuarit gjë që më vonë rezultoi se Fejzullahu vdiq nga plagët si rezultat i rrahjes brutale.

Për të sqaruar situatën, IPK-ja ka kryer një hetim i cili tashmë është bërë publik.

Nga hetimi i rastit IPK ka gjetur se raportet e shpejta që janë dërguar nga stacioni policor në Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe raportin e shpejtë të cilin kjo Qendër e ka përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nuk kanë përmbajtje të njëjtë.

IPK ka gjetur se dosja hetimore e rastit 2024-AF-0039 përmban raportin e shpejtë të përpiluar nga stacioni policor në Podujevë, raport i cili ka përshkrimin e ngjarjes sipas fakteve dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes.

“Raporti i parë i publikuar nga Qendra Operative Koordinuese dhe Komunikues se DPP, (raporti i cili përmban informacionin se viktima është i therur me thikë), është ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë. Ky ndryshim është bërë bazuar në komunikimin që zyrtari i kësaj Qendre ka  pasur me Stacionin Policor në Podujevë, të cilët këto informacione i kanë dhënë bazuar në informatat e para nga zyrtarët policorë që kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është gjetur thika në afërsi të personit të lënduar”- thuhet në njoftim.

Sipas IPK-së, raporti i ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë është përcjellë vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, dhe i njëjti raport është publikuar në raportin 24-orësh nga Policia më 15.1.2024.

IPK thotë se përkundër konfuzionit në publik, ky lëshim i zyrtarit të qendrës në Prishtinë nuk ka ndikuar në integritetin e hetimit dhe kualifikimin fillestar të rastit, pasi që dosja hetimore është dorëzuar në prokurori brenda ditës së incidentit para se të dërgohet raporti i shpejtë në Drejtorinë e Përgjithshme dhe e njëjta përmban të gjitha informacionet e sakta sipas video-incizimeve të vendit të ngjarjes (disa ditë para publikimit të video-incizimit të incidentit në medie).

“Megjithatë, duke vlerësuar ndjeshmërinë e rastit dhe paqartësitë që ka krijuar ky lëshim në publikimin e raportit 24 orësh, IPK ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës dhe do të procedohet në Drejtorinë përgjegjëse për hetime displinore brenda Policisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e IPK-së.

IPK thotë se pas këtij rasti do të iniciojë një inspektim për të analizuar dhe vlerësuar mënyrën e raportimit dhe komunikimit si dhe hartimin e raporteve të shpejta në të gjitha nivelet brenda Policisë së Kosovës.

Sipas Inspektoratit, gjatë hetimit të rastit të vrasjes në Podujevë është vërtetuar se veprimet e tjera të marra nga Policia janë ndërmarrë sipas afateve procedurale dhe përmbajnë të gjitha elementet e kërkuara sipas Kodit të Procedurës Penale.

Po sipas njoftimit të IPK, në incidentin fillestar i cili ka ndodhur më 13.1.2024 te lokali (berber) mes viktimës L.F. dhe njërit nga të dyshuarit nuk ka pasur prezent ndonjë zyrtar policor.