Foto: ZKM

Kurti e Sveçla vizitojnë IPK-në, diskutojnë për trajtim efikas të rasteve të raportuara nga qytetarët

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë vizituar Inspektoratin Policor të Kosovës, ku janë pritur nga kryeshefi ekzekutiv, Kushtrim Hodaj.

Sipas një komunikate, në takim u prezantuan angazhimet dhe arritjet e IPK-së gjatë vitit 2023 si dhe prioritetet për vitin 2024.

“Profesionalizmi dhe angazhimi i Inspektoratit Policor të Kosovës reflekton në efikasitetin dhe ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës”- thuhet në komunikatë.

Në mesin e temave të diskutuara sipas kumtesës ishin edhe rëndësia e trajtimit efikas të rasteve të raportuara nga qytetarët, ruajtja e të dhënave të raportuesve si dhe trajtimi i paanshëm dhe profesional i rasteve të pranuara.

Duke shprehur mirënjohje për punën dhe angazhimin e tyre, kryeministri ka falënderuar Inspektoratin dhe përfaqësuesit për bisedën dhe përkushtimin e vazhdueshëm dhe ofroi mbështetjen e mëtutjeshme në realizimin e detyrave të tyre.