Diskutim publik mes banorëve në Mitrovicën e Veriut dhe IPK-së. Foto: Inspektorati Policor i Kosovës

IPK mban diskutim publik me banorët në Mitrovicën e Veriut

Inspektorati Policor i Kosovës kanë marrë pjesë në një diskutim publik me banorë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe atyre të shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut që u mbajt më 07.03.2024.

Ky aktivitet u organizua me përkrahjen e organizatës joqeveritare Qendra Avokuese për Kulturë Demokratik (ACDC) dhe u mbajt në Qendrën  për Energji Qytetare në Mitrovicën e Veriut.

IPK ka thënë se qëllimi i këtij diskutimi ishte që banorët e kësaj pjese si dhe OJQ-të dhe shoqëria civile të kenë njohuri shtesë mbi rolin dhe misionin e Inspektoratit.

“Gjatë këtij diskutimi publik u prezantua puna e IPK-së, mandati, fushë-veprimtaria dhe juridiksioni  me synim që të fuqizohet ndërgjegjësimi për rolin e IPK-së dhe bashkëpunimi me qytetarë” – u tha në komunikatë për media.

Tutje u njoftua se gjatë diskutimit të hapur me qytetarë për fushëveprimin e IPK-së u dhanë shpjegimet për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, inspektimet dhe roli i tyre në ngritjen e profesionalizmit të policisë dhe rëndësinë e integritetit policor.

IPK theksoi se ky aktivitet është përcjellë me interesim nga pjesëmarrësit ku edhe janë parashtruar pyetje të cilave u kanë dhënë përgjigje zyrtarët e IPK-së.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësues të komunës së Mitrovicës së Veriut, Avokatit të Popullit, EULEX-it, KFOR-it e të tjerë.

Në njoftim u shpjegua se si pjesë e këtij diskutimi, në kuadër të transparencës së IPK-së u shpalos edhe një raport përmbledhës me statistika dhe të dhëna të tjera lidhur me numrin e ankuesve nga komunat veriore të Republikës së Kosovës, rasteve dhe trajtimin e tyre nga IPK për periudhën pesë vjeçare 2019-2023.