Avdullah Hoti LDK

Hoti: Vetëm zgjedhjet e reja i hapin rrugë institucioneve legjitime

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë që për daljen nga kriza të Kosovës, e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e reja në vend, dhe sipas tij janë pikërisht qytetarët ata që do ta thonë fjalën për rrugën evropiane të Kosovës.

“Vetëm zgjedhjet e reja i hapin rrugë krijimit të institucioneve legjitime, që mund të sigurojnë konsensusin e brendshëm politik dhe shoqëror. Qytetarët duhet ta thonë fjalën e tyre, sa më parë më mirë për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe konsolidimin e shtetësisë të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti në facebook.

Sipas edhe dialogu me Serbinë do të vazhdoj të jetë i ngrirë për shkak të mosarritjes së konsensusit brenda spektrit politik.

“Për aq kohë sa nuk ka konsensus të brendshëm politik dhe shoqëror në Kosovës, bazuar në parimet e Kushtetutës së Kosovës, nuk mund të ketë as dialog me Serbinë. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë akterët politik dhe institucional”, ka shkruar tutje ai.

Hoti ka theksuar se ngrirja e marrëdhënieve të Kosovës me BE-në dhe SHBA-në po shkon në favor të      veprimeve nepotiste dhe korruptive të partnerëve të PAN-it.

Në këtë reagim të tij, Hoti nuk ka lënë pa e përmendur as dështimin diplomacisë së Kosovës në politikën e jashtme.

“Politika e jashtme e Kosovës është jo ekzistente, plotësisht në defansivë, duke u munduar të parandalohet tërheqja e njohjeve. Vizita të rëndësishme në Kosovë pothuajse nuk ka fare, dhe as vizita jashtë të krerëve të institucioneve”, ka thënë ai.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar zgjedhje të reja në vend, madje ata kanë  filluar edhe tubimet me qytetarët pas paralajmërimit për protesta dhe mocion mosbesimi ndaj ‘Qeverisë Haradinaj’.