Haradinaj: Sistemi ynë i sigurisë së udhëtarëve duhet të forcohet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në hapjen e konsulencës pas Punëtorisë për Krijimin e Sistemit të Avancuar të Udhëtarëve.

Më këtë rast shefi i ekzekutivit ka thënë  se qëllimi i kësaj punëtorie është që të mbështes institucionet në zbatim, në mënyrë që udhëzuesi i detajuar të avancojë, duke e krijuar një situatë të re, të të dhënave të qarkullimit të udhëtarëve dhe se të gjitha institucionet, qofshin ato të Policisë, Aeroportit, Aviacionit Civil, Doganave, të jenë pjesë përbërëse.

“Kosova nuk bën përjashtim, sikurse vendet e tjera i jep rëndësi sigurisë së udhëtimit, udhëtarëve dhe të dhënave. Sistemi jonë i sigurisë është në proces të forcimit dhe ne duhet të kujdesemi që kjo të ndodhë sa më shpejt, duke përmirësuar performancën e secilit institucion një nga një”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Përveç kësaj kryeministri Haradinaj ka folur edhe për  kërcënimet e fundit globale, duke shtuar se Kosova nuk është imune dhe se siguria e saj varet nga institucionet e zbatimit të ligjit.

“Metodat e fundit të grupeve të krimit të organizuar dhe terrorizmit, janë edhe më të sofistikuara, andaj duhet ta përmirësojmë qasjen, sistemin dhe bashkëpunimin”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se si Kosova jep garanca dhe se mbetet e fokusuar në sigurinë e udhëtarëve dhe në të dhënat e avancuara për qarkullim të udhëtarëve, thuhet tutje në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë se bazuar në analizën për vlerësimin e rrezikut, si dhe nevojën për kontroll të mirëfilltë kufitar, me theks të veçantë pasagjerët të cilët mund të vijnë nga jashtë përmes aterrimeve në Aeroportin “Adem Jashari”, që për pasojë mund të cenojnë sigurinë kombëtare dhe sigurinë e përgjithshme është më se e domosdoshme posedimi i këtij aplikacioni.

Ambasadori i OSBE-së, në Kosovë, Jan Braathu, tha se ky sistem është informacion biografik që pasagjeri i jep aviokompanisë kur ai bën check-in për një fluturim.

Kur të ketë sistem API në vend këto të dhëna dërgohen tek autoritetet qeveritare paraprakisht në mënyrë që pasagjerët të mund të kontrollohen para se të hyjnë në kufi.