Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: ZKM

Haradinaj Premton Hetim të Vrasjeve të Pasluftës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se vrasjet e pasluftës, të figurave të shquara publike e politike, si krime, do të hetohen nga institucionet e rendit dhe ligjit.

Haradinaj ka thënë se këto vrasje janë plagë e dhimbshme dhe moszbardhjen e të gjitha vrasjeve të pasluftës e ka quajtur turp për Kosovën, shoqërinë dhe institucionet e rendit dhe ligjit.

“Prononcimet publike lidhur me këto raste, të çfarëdo natyre qofshin, nuk duhet të zbehin përgjegjësinë dhe detyrën e Institucioneve të vendit për zbardhjen e tyre”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ky reagim i kryeministrit duket se ka ardhur pas një deklarate të kushëririt të tij, Nasim Haradinajt, i cili është nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së.

Në një emision në televizionin “Dukagjini” teksa po diskutohej për vrasjet e pasluftës, Nasim Haradinaj thotë: “Punë e madhe që janë vra anëtarët e LDK-së“.

Këtë deklaratë të Nasim Haradinajt e ka dënuar ashpër Kryesia e LDK-së pas një mbledhjeje të mbajtur sot.

“Gjuha e përdorur nga z. Nasim Haradinaj është e papërgjegjshme, e turpshme dhe e pamoralshme dhe ne besojmë se një deklaratë e tillë nuk përfaqëson qëndrimin e këtyre organizatave. Gjithashtu, kërkojmë nga bashkëluftëtarët e z. Haradinaj që të distancohen menjëherë nga deklaratat e tij”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që rastet e vrasjeve të intelektualëve të shquar që ishin pjesë e LDK-së, por edhe të gjitha krimet e kryera në Kosovë, të zbardhen nga organet e drejtësisë”, thuhet më tej në reagimin e kësaj partie.