Kryeministri Haradinaj në seancën e Kuvendit.

Haradinaj mirëpret votimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur votimin në parim të Projektligjit për Buxhetin  e vitit 2019, i cili u votua sot në Kuvendin e Kosovës.

“Votimi në parim i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2019, është një lajm i mirë për vendin. Falënderoj të gjithë deputetët që dhanë votën Pro për buxhetin e vitit që po hyjmë, si dëshmi e qartë e qëndrueshmërisë fiskale dhe rritjes ekonomike”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka shtuar se në këtë projektligj Qeveria është munduar që t’i trajtojë të gjitha Komunat në mënyrë të barabartë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është kujdesur që në këtë buxhet zhvillimor që projekton rritje ekonomike të qëndrueshme, i hartuar në mbështetje të dinamikave të reja të qeverisjes, në favor të zhvillimit ekonomik dhe social, duke rritur investimet kapitale në të gjitha fushat, të kenë trajtim të njëjtë të gjitha komunat dhe të kenë përparësi fushat vitale të jetës, sundimi i rendit dhe ligjit, mbrojtja, shëndetësia dhe arsimi”, ka thënë Haradinaj.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019  me 62 vota pro.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me seancën e sotme:

https://kallxo.com/miratohet-ne-parim-buxheti-per-vitin-2019/