Haradinaj kundër komandantit të FSK-së: Të mos bëhet subjekt i mediave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e ka pritur mirë një komunikim të komandantit të FSK-së, gjeneralit Rrahman Rama, me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një letër të para disa ditëve, gjenerali Rama e njoftonte Presidentin Thaçi që një delegacion ushtarak amerikan e ka anuluar një vizitë në Kosovë për shkak të këmbënguljes së qeverisë së Kosovës për ta hequr taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Por për Haradinajn, ky komunikim nuk është parë me sy të mirë.

Ai e ka porositur të martën komandantin e FSK-së që të mos bëhet subjekt i mediave.

“Gjenerali Rama është komandant i ushtrisë. Sa më pak të bëhet subjekt i mediave aq më mirë. Nuk ka arsye që komandanti Rama të dalë shpesh në media, kemi komunikim konfidencial anulohen vizita shpeshtohen vizita. Nëse mendon se nuk mund ta kryejë këtë punë, ka plot të rinj që mund ta bëjnë këtë”, tha Haradinaj sot para gazetarëve kur është pyetur për anulimin e kësaj vizite dhe letrën e komandantit të FSK-së.

“Ka zëdhënës ministria e tij, ka zëdhënës ushtria e tij”, shtoi Haradinaj.

“Kur e patëm nisur ligjin për anulimin e Speciales, nuk u mërzitëm për Amerikën. Alarmin që e bëjnë këta, do t’u kthehet keq këtyre njerëzve”, tha ai.