Haradinaj bën homazhe në kujtim të 99 dëshmorëve e Prishtinës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në nder të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, në varrezat e dëshmorëve në Velani dhe te përmendorja e Zahir Pajazitit, që u kujtuan 99 dëshmorët e Prishtinës.

Haradinaj në këtë rast u shpreh se misioni historik për liri dhe pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë dhe sakrificës së martirëve.

“Në nderim të dëshmorëve të Prishtinës, kam bërë homazhe te shtatorja e Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, dhe të varrezat e dëshmorëve në Velani. Në ditën e sotit kujtojmë të rënët në masakrën e Makocit dhe dëshmorët e martirët e Betejës së Marecit. Misioni ynë historik për liri dhe pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë dhe sakrificës së martirëve, të cilët gjithmonë do të jenë frymëzim dhe udhërrëfyes në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes sonë, dhe betim yni se ky ishte brezi i fundit që u flijua për atë që është fituar një herë – për tokën, lirinë dhe të drejtën tonë”, u shpreh Haradinaj në një postim në ‘Facebook’.

Kryeministri sot gjatë ditës ka pritur në takim delegacionin e ‘Batalionit Atlantiku’, të cilët i dekoroi me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.