Haradinaj dekoroi 'Batalionin Atlantiku' me medaljen 'Gjergj Kastrioti Skënderbeu’

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim delegacionin e ‘Batalionit Atlantiku’, të cilët i dekoroi me medaljen “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”.

Haradinaj në këtë rast është shprehur dëshirë e tij është që ajo që është arritur me gjak e mund në të kaluarën, mos të humbet tani për shkak të një gabimi.

“Jam i nderur që jemi bashkë në Kosovë. Për veprën tuaj në kohë të vështira, vendimi juaj për t’iu bërë pjesë atdheut, për ta kryer detyrën tuaj nga Amerika ka shënuar një ngjarje të veçantë në historinë e Kosovës. Është rastësi që sot kujtojmë 99 dëshmorë të Prishtinës. Gjithashtu, është një moment i veçantë që jemi këtu në shtëpinë e Kosovës, me ç`rast  dua të dekorojë Batalionin me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Kjo ju dedikohet të gjithë juve. E kam një dëshirë siç thotë populli “mos na raftë me i harru”, sepse nëse përsëritet është pafalshme për një të drejtë që e kemi fitu, e më e humb për një gabim”, u shpreh Haradinaj.

Udhëheqësi i ‘Batalionit Atlantiku’, Hysni Syla u shpreh se është i nderuar që gjendet në mesin e tyre pas 20 viteve, duke vlerësuar lartë kontributin e atdhedashësve.

“Jemi të privilegjuar që jemi këtu të thirrur nën patronazhin e Qeverisë, e vlerësojmë shumë që pas 20 viteve vijmë në këtë mënyrë. Duhet nderuar kontributi i këtyre djemve e shumë të tjerëve që lanë rehatinë, bizneset dhe shtëpitë e tyre që t’i përgjigjen atdheut. Shqiptarët janë të gatshëm gjithmonë për atdhe dhe këta burra ju bashkuan në kohën e duhur”, tha Syla.

Pas këtyre dy fjalimeve, Haradinaj mbajti takimin të mbyllur për media me delegacionin e ‘Batalionit Atlantiku’.