
Ish rektori i UPZ-së, Mazllum Baraliu, gjatë seancës gjyqësore. Foto: Kallxo.com
Gjykimi i Zyrtarëve të Universitetit të Prizrenit me Nis Prej Fillimit
Gjykimi ndaj ish rektorit të Universitetit të Prizrenit Mazllum Baraliu dhe dy zyrtarëve të lartë Adem Sallauka e Halim Haziraj u kthye nga fillimi për shkak të vonesave në procedura.
Trupi gjykues vendosi të enjten që ky gjykim të rifillojë për shkak se nga seanca e fundit kanë kaluar më shumë se tre muaj që nuk është mbajtur seancë tjetër.
Një gjë të tillë e kërkon Kodi e Procedurës Penale.
Trupi gjykues i njoftoi palët, se seanca duhet të fillojë prej fillimit, për shkak se ka pasur pengesa në caktimin e seancës që tre muaj
Ish rektori i Universiteti të Prizrenit, Mazllum Baraliu, sekretari i përgjithshëm, Adem Sallauka dhe zyrtari për buxhet e financa, Halim Haziraj akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës, prej muajit tetor 2011 deri në tetor 2013, si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe autorizimet e tyre, ata nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i shkaktuar dëm profesorit të Universitetit, Enver Sopjani, të cilit ia kishin shkëputur marrëdhënien e punës.
Përkundër se i dëmtuari kishte kontratë pune si profesor të lëshuar nga Universiteti i Prizrenit, prej datës 10.06.2011 deri me 09.06.2014, të akuzuarit pasi ia kishin ndërprerë kontratën nuk e kishin zbatuar vendimin e Ministrisë së Arsimit i cili është definitiv në procedurë administrative.
Prokurori i shtetit Sefer Morina propozoi që pasi që shqyrtimet e kaluara janë mbajtur para të njëjtit trup gjykues, të bëhet vetëm leximi i provave dhe deklaratave të dëshmitarëve dhe ata të mos thirren prapë për t’u dëgjuar.
Me këtë propozim u pajtua edhe mbrojta e të akuzuarve. Trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurorit dhe u lexuan deklarata e dëshmitarëve të dhënë në seancat e kaluara.
Në këtë shqyrtim, mbrojtjen e tij e dha i akuzuari Halim Haziraj, i cili tha se nuk kishte pasur autorizim me shkrim për shkëputjen e vendimin të prorektorit Enver Sopjani nga rektori Mazllum Baraliu, por ai ka qenë në dijeni për këtë vendim. Ai tha se vendimin për ndërprerjen e punës e ka bërë në bazë të statutit të universiteti dhe ky vendim, sipas tij, është i drejtë.
Në seancën e ardhshme fjalën mbrojtëse do ta japë i akuzuari Adem Sallauka, ndërsa më pas pritet që të jepet fjala përfuindimtare.