Rektori i UP-së Qerim Qerimi në lansimin e projektit për avancim në arsim
UP lansoi projektin që synon avancimin në arsim përmes reformës së poltikës dhe praktikës
Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës është lansuar projekti i ri i financuar nga Bashkimi Evropian, i cili quhet “Avancimi i arsimit të bazuar në vlera përmes reformës së politikës dhe praktikës së zhvillimit të mësimdhënësve në Kosovë”.
Ky projekt synon të lehtësojë një reformë të zhvillimit profesional të mësimdhënësve, për të reflektuar në edukimin e bazuar në vlera për të promovuar arsimin gjithëpërfshirës, barazinë, mosdiskriminim dhe kompetenca qytetare në të gjitha nivelet e arsimit.
Me këtë projekt synohet që të përmirësohet përgatitja e mësimdhënësve dhe zhvillimi i vazhdueshëm i tyre profesional, në mënyrë që të ndikojnë në cilësinë afatgjate të sistemit arsimor, duke fuqizuar lidhjen në mes edukimit, hulumtimit dhe zbulimit.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, rektori i UP-së, Qerim Qerimi, rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Mentor Alishani, dekanë të Fakultetit të Edukimit në Prishtinë dhe Prizren, përfaqësues të Zyrës së BE në Kosovë.
Sipas ministres Nagavci, ky projekt është një nga projektet më të mëdha të programit ‘Erasmus Plus’ në dy vitet e fundit në Kosovë.
“Projekti në fjalë është i natyrës strukturore dhe si i tillë kuptohet që edhe sfidat mund të jenë të pashmangshme, e pikërisht për këtë arsye i përgëzoj edhe partnerët. Këtu roli i MASHTI-t është i domosdoshëm meqenëse bëhet fjalë për ndërhyrje në nivel të politikave, çka po ashtu kërkon vëmendje dhe kujdes të veçantë. Nga ana jonë, si Ministri e Arsimit jemi të hapur për çdo rekomandim që vjen”- deklaroi ministrja Nagavci.
Sa i përket trajnimit të mësimdhënësve, Nagavci ka përmendur se vetëm në 3 vitet e fundit janë trajnuar gjithsej 16,959 mësimdhënës, në 172 programe të ndryshme trajnimi dhe po ashtu janë dhënë 5,360 licenca të karrierës.
Kurse, rektori Qerimi e ka konsideruar të rëndësishëm këtë projekt për shkak të qëllimeve të tij dhe se Fakulteti i Edukimit është udhëheqës i projektit, i cili drejtpërdrejt e koordinon atë.
“Një dimension me vlerë të jashtëzakonshme që ky projekt ka, në kuptimin tonë është që përbën një kapërcim nga përqendrimi i deritanishëm kryesisht në zhvillimin apo ngritjen e kapaciteteve institucionale, infrastrukturore dhe ideja e këtij koncepti është që bëhen ndërhyrje të përmbajtjes që kanë për qëllim të ndikojnë në vlerat më të gjera sociale”- ka theksuar Qerimi.
Më tej, Qerimi e ka vlerësuar edhe bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, i cili sipas tij, tregon që jo vetëm se po bashkëpunojnë, por edhe se po e plotësojnë njëri-tjetrin në ushtrimin e funksioneve përkatëse.
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Mentor Alishani, është shprehur mirënjohës që janë pjesë e këtij projekti.
“Duke adresuar kompleksitetet e implementimit të politikave, duke matur ndikimin dhe duke promovuar qëndrueshmëri, të gjitha palët e përfshira në këtë projekt do të kenë mundësinë për të punuar drejt krijimit të një sistemi arsimor më gjithëpërfshirës dhe efektiv në Kosovë”- ka thënë Alishani.
Projekti do të implementohet nga Universiteti i Prizrenit, Universiteti Graz (Austri), Universiteti Ludwig Maximilians (Gjermani), Instituti ‘EdGuard’, Qendra për Arsim në Kosovë (KEC), të koordinuar nga UP.