A u tentua nga policia të fshihej plagosja në Leposaviq?

Mbrëmjen e 10 prillit ishte plagosur një qytetar në komunën e Leposaviqit nga Policia e Kosovës.

Fillimisht këta të fundit e mohuan që kishin të bënin diçka lidhur me këtë rast por më pas dërguan komunikatë se përgjegjës ishte një polic i njësisë speciale.

Pak orë pas mohimit, Inspektorati Policor i Kosovës kishte njoftuar se kishte arrestuar 4 zyrtarë policorë nën dyshimin se janë të përfshirë në plagosjen e një personi në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq.

“IPK ishte njoftuar për këtë rast pasi që policia pas ekzaminimit të dëshmive të siguruara, kishte dyshime për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri” – thuhej fillimisht në njoftimin e IPK-së.

Zyrtari policor i Njësisë Speciale Operative, K. Pepaj ishte ndaluar për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprat penale të vrasjes në tentativë, manipulimit me prova dhe moslajmërimit të veprës penale, ndërsa tre policë të tjerë S. Uka, M. Muqiqi dhe F. Maloku po dyshohen se kanë kryer veprën penale të moslajmërimit të veprës penale.

Me këtë rast është duke u marr Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Plagosja e qytetarit në Leposaviq, Prokuroria do të kërkojë masën e sigurisë për policët e arrestuar

Ky rast kishte ngjallur reagime të shumta në publik.

Shtetet e Bashkuara ishin shprehur të shqetësuara për incidentin në veri të Kosovës më 10 prill, në të cilin dyshohet të jetë plagosur një pjesëtar i komunitetit serb.

Policia e Kosovës ka thënë më 11 prill se i ka suspenduar katër zyrtarë policorë, që dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast, përfshirë njërin që mund të ketë shtënë me armë zjarri.

“Të gjithë shtetasit duhet të kenë besim në transparencën e zyrtarëve për zbatim të ligjit dhe në sektorin e drejtësisë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara ndaj institucioneve për sundim të ligjit, avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multi-etnik”, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Lista Serbe janë shprehur të shqetësuar që Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier është shprehur i shqetësuar për këtë rast.

“Në vend që të dënojë qartë tentativën e vrasjes së Milan Jovanoviqit mbrëmë në postbllokun ilegal të njësive parapolicore të Kurtit në Urën e Bistricës, ai është i shqetësuar!?” – ka shkruar Lista Serbe në Facebook.

KFOR-i, pas këtij incidenti kishte thënë se vazhdon të monitorojë situatën dhe është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Progresi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është kyç për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. KFOR-i mirëpret marrëveshjet e fundit të ndërmjetësuara nga BE-ja në këtë drejtim dhe inkurajon të dyja palët të zbatojnë detyrimet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur”- thuhej në deklaratën e KFOR-it.

Edhe qytetarët e asaj pjesë si shenjë revolte ndaj situatës së krijuar kishin dalë në Banjskë në pjesën e veriut të Mitrovicës.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, është diskutuar rreth këtij incidenti, ku Arbër Beka nga Inspektorati Policor ka thënë se ky dikaster lidhur me rastin është njoftuar të nesermën nga PK-ja.

“Informatat e para kanë qenë që PK-ja në bazë të ekzaminimit të disa dëshmive në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur incidenti, kanë pasur dyshime që në rastin e gjuajtjes me armë zjarri ku u plagos një qytetar, mund të jetë i përfshirë një zyrtar policor”, tha Beka.

Beka ka shtuar se në secilin rast të përdorimit të armës, qoftë edhe aksidentale, zyrtarët policorë janë të obliguar ta raportojnë atë.

“Nuk ka raste të shpeshta të shkrepjes me armë zjarri në veri të vendit. Por në secilin rast të përdorimit të forcës vdekjeprurëse, duhet të jetë një hetim i thellë”, tha më tej Beka.

Nga fillimi i këtij viti e deri më tash, IPK-ja ka trajtuar mbi 300 ankesa të qytetarëve në përgjithsi, prej tyre, janë 7 qytetarë të komunitetit serb.

“Kur them qytetarë serb, nuk nënkupton vetëm nga pjesa e veriut të vendit por në gjithë Kosovën”, tha Beka.

Krejt këtë situatë ish hetuesi i IPK-së, Ridvan Kajtazi e sheh si tentativë për përdorim politik.

“Policia e Kosovës në veri të vendit disa herë ka qenë e sulmuar nga grupe të ndryshme kriminale për shkak të vet prezencës së tyre atje, marr parasysh që kemi disa raportime kohëve të fundit që ka pas edhe lajme për ndërprerje të kontrabandës nga pjesa e Serbisë në territorin e Kosovës”, ka thënë Kajtazi.

Mazllum Baraliu, njohës i procesit zgjedhor, ka thënë që vlerësimin e këtij incidenti duhet bërë me shumë kujdes.

“Dikush po don paraprakisht, në mënyrë apriori ta vlerësoj si diçka që është fshehur apo jo, ekzistojnë procedurat që i rregullojnë veprimet edhe të organeve të ndjekjes edhe të atyre të hetimeve paraprakisht. Pra duhet pritur dhe parë se çfarë në të vërtet ka ndodhur e pastaj të gjykohet”, tha ai.

Baraliu ka shtuar se projekti i policisë, është njëri nga projektet sipas tij më të suksesshme institucionale që ka Kosova.

“Derisa hetimet nuk tregojnë diçka tjetër, mendoj që është edhe e parakohshme edhe reagimi i disa segmenteve të pranishme ndërkombëtare këtu të cilat mezi presin për diçka. Asesi të mos keqkuptohemi, jemi transparent dhe të gatshëm për të dëshmuar edhe këtë”, tha më tej Baraliu.

‘Plagosja në veri, skandal i madh i policisë së Kosovës’

Skandal të madh për policinë e ka quajtur Kreshnik Gashi, nga KALLXO.com, rastin e plagosjes së një qytetari serb nga një polic në veri të vendit.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’, ka thënë se kjo çështje kërkon analizë të thellë dhe llogaridhënie strukturore.

“Policia nuk ka mundur t`i ikë përgjegjësisë, për shkak se plumbi ka mbetur në trup të njeriut edhe balistika e kish zbulu që arma ka qenë e policisë sepse ne importojmë armë dhe e kanë një mekanizëm të gjurmimit, pra pk nuk kish mujt me mshef, kish mujt vetëm me u bo horë, sepse plagosja ka ndodh me armë zyrtare”, ka thënë Gashi.

Gashi gjithashtu ka thënë se krejt çka ka thënë propaganda serbe për ndodhitë në veri, ka nis m`u konfirmu sipas tij me rastin e plagosjes së qytetarit nga ana e policisë.

“Duhet me pas një analizë shumë të qartë pse kemi mbërri deri te kjo situatë, çka ka qenë shtytja e policëve, a është klima e tillë ku njerëzit, policët mujnë me gjujt e mos me dhënë llogari”, ka thënë më tej ai.

Gashi më tej ka thënë se policia nuk ka pasur rrugëdalje tjëtër pos ta pranoj gabimin e saj, siç ishte pranimi që kishte gisht në këtë incident.

“Policia serbe i prodhon armët vet dhe mund të mos i ketë futur në sistemin e gjurmimit të armëve ndërkombëtare, ne i blejmë armët prej Austrisë, ne e dijmë kush e përdor atë armë, pra s’mundesh me mshef nëse ti e plagos dikë me armë të policisë sepse ajo gjurmohet”, tha Gashi.

Sipas tij, veprimi i tillë siç ishte rasti i plagosjes në veri të vendit, shkon kundër interesave të Kosovës.

“PK nuk është atje për me i sulmu serbët por për t`i mbrojtur. Pa marr parasysh çka kanë bërë strukturat kriminale, qasja e PK duhet të jetë, mbrojtja e qytetarit”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë që kerkesë e Kosovës është që PK të sillet në veri njësoj siç bën në Prishtinë.

“Janë disa procedura që ndjek PK, pra nuk gjuan me armë, por i ndjek me veturë personat e dyshuar. Me standarde të PK nuk lejohet gjuajtja me armë”, shtoi ai.

Mazllum Baraliu, njohës i procesit zgjedhor, thotë që nuk pretendohet në asnjë mënyrë që të amnistohet dikush.

“Paragjykimi se ka ndodh diçka, të cilën nuk e dimë saktësisht nuk është në rregull. Ajo që të gjuhet mbrapa apo jo, edhe ajo është çështje në hetim e sipër, por gjithsesi këtë po e themi ne që nuk është në rregull të gjuhet dikush nëse nuk ekziston rreziku potencial që rregullohet me procedura kur është tejkalim i autorizimeve nga PK-ja”, tha Baraliu.

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com tha se ajo ‘zonë është kriminale’, ku njerëzit edhe munden me vesh uniformë të PK-së, qytetarët serbë sipas tij duhet të dinë se zyrtarët policor kanë vetëm armë zyrtare që i përdorin.

PK-ja nuk mund të plagos askënd e me i zhduk gjurmët, pra ata duhet me qenë të edukuar që nëse predhat ruhen, është shumë lehtë të identifikohet nëse e ka bërë PK-ja apo jo pasiqë policia e Kosovës nuk përdorë armë ilegale”, ka thënë Gashi.

Ish hetuesi i IPK-së, Ridvan Kajtazi, tha se PK-ja ka një zinxhir shumë profesional për ruajtjen e dëshmive, ekzaminimit të vendit të ngjarjes, dorzimin e provave në forenzikë.

“Për incidentin që po flasim ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Sa i përket çështjes së sjelljes së policëve në veri e kemi rastin e djegjes së veturave dhe askush s`është arrestuar”, tha Kajtazi.

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com tha se, nuk është hera e parë që Policia e Kosovës tenton me heq fajin nga vetja.

“E kemi rastin e aktivistit të OJQ-së, ‘Aktiv’, e kemi pasur situatën e ngjashme, fillimisht kanë thënë që ne s’jemi përfshirë fare në incident, se kena rreh, s’kena pas asnjë incident, e kur OJQ-të e veriut u bën bashkë dhe lëshuan komunikatë, PK thotë se po nisim të hetojmë se ndoshta ka diçka”, tha Gashi.

Nuredin Ibishi nga LDK-ja ka thënë se mosparaqitja e rastit është për t`u dënuar.

Sipas tij është dashur të paraqitet nga kolegët e tjerë.

“S’ka qenë vetëm një polic në pyetje por kanë qenë 4, ndoshta ka mundur me fsheh rastin ai që e ka bërë mirëpo kolegët e tjerë, nuk është dashur  të praqiten oportun”, tha Ibishi.

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com, ka thënë se ndonëse policia në zonën veriore të vendit është sulmuar nga persona të rrezikshëm, nuk dihet për personin e plagosur çfarë të kaluare ka.

“Ne kemi pasur incidente të rënda, kur policët edhe kanë vrarë njerëz, por Ambasada amerikane nuk ka reaguar, por ka reaguar vetëm që është provuar të fshihet sulmi. Për me reagu kjo ambasadë është një procedurë e rëndë”, tha Gashi.