Tryeza e GAP-it | Foto: KALLXO.com

GAP: Korrupsion edhe Mbingarkesa me Punonjës

Në tryezën e Institutit GAP ku u diskutua në lidhje me luftimin e korrupsionit përmes transparencës së shpenzimeve publike u tha se edhe mbingarkimi me punonjës në sektorin publik është një formë e korrupsionit.

“Për ne si GAP korrupsion është edhe mbingarkesa e sektorit publik me punonjës si dhe dhënia e pagave personave që nuk do te duhej të ishin në atë detyrë fare ose krijimi i dhjetëra pozitave të ministrave dhe zëvendësministrave,” tha Nora Latifi-Jashari nga ky institut.

Tryeza e GAP-it në Javën Kundër Korrupsionit nisi me moton #bashkeendreqim.

Nora Latifi-Jashari u rekomandoi institucioneve se si të bëhen më transparente.

“Të publikojnë më shumë informata rreth shpenzimeve buxhetore, përveç atyre që publikohen në raportet e organizatave buxhetore. Përmes vizualizimit të bëjnë më të kuptueshëm buxhetin e shtetit për qytetarët e Kosovës dhe t’i ndihmojnë deputetët dhe organizatat tjera buxhetore të analizojnë më lehtë buxhetin dhe të kërkojnë llogaridhënie për shpenzimin e parasë publike,” tha Latifi-Jashari.

Ajo tregoi se GAP-i në vit dërgon në institucionet publike lokale e qendrore nga 10 kërkesa për qasjen në dokumentet publike, duke gjetur shumë pak bashkëpunim.

Institucionet që nuk përgjigjen qe disa vite sipas GAP-it janë Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Integrimeve Europiane.

Edhe BIRN-i kishte kërkuar qasje në dokumentet zyrtare të Zyrës së Kryeministrit në lidhje me shpenzimet nga udhëtimet e delegacioneve kosovare në dialogun e Brukselit, por i ishte refuzuar qasja me arsyetimin se kjo mund të zbulojë edhe dietat e zyrtarëve.

Më pas BIRN-i e paditi në gjyq Zyrën e Kryeministrit dhe e fitoi atë rast.

http://kallxo.com/birn-fiton-rastin-gjyqesor-ndaj-zyres-se-kryeministrit/

në tryezë, Mike De La Rosa, ushtrues i detyrës së drejtorit të misionit të USAID-it tha se organizimi i këtyre tryezave është një përpjekje e mirë në luftimin e korrupsionit, pasi ky vë në rrezik atë që Kosova beson të arrijë.

De Rosa deklaroi se “të gjithë taksapaguesit kanë të drejtë të dinë se ku dhe si shpenzohen paratë e tyre”.

Agim Krasniqi nga Ministria e Financave tha se institucionet do ta rrisin transparencën.

“Ne si Ministri e Financave kemi vënë para vetes si synim që të rrisim transparencën në menaxhimin e financave publike duke bërë një seri ndryshimesh që rrisin sasinë e të dhënave dhe ofrojnë me kohë këto shënime,” tha Krasniqi.

Instituti GAP kërkoi nga institucionet të japin të dhëna më të detajuara për shpenzimet publike, duke përfshirë edhe personat përgjegjës për shpenzimin e buxhetit.

KALLXO.com shkroi edhe më herët për gjetjet që auditori i bëri nëpër institucione.

http://kallxo.com/zyra-e-kryeministrit-zbatoi-vetem-dy-rekomandime/

“Java kundër korrupsionit” është aktivitet i përbashkët nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Çohu, Demokraci Plus (D+), Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Institutit GAP dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri