Gjykimi i Florim Alisë gjatë të cilit u kërcënua Hamdi Ibrahimi

Familjarët e të Dënuarit Kërcënojnë Hamdi Ibrahimin

Pasi gjyqtari Hamdi ibrahimi i shqiptoi dënimin prej 3 vjet e 6 muaj burg të akuzuarit Florim Alija për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, në sallën e gjykimit reaguan familjarë të të dënuarit.

Ata ngritën zërin dhe folën me ton kërcënues ndaj gjyqtarit, pasi nuk u pëlqeu vendimi i tij.

“Kriminelët ma të mdhaj i lironi, e një njeri punëtor e të pafajshëm e shtini në burg”, tha personi me inicialet B. G. që tregoi se është daja i të akuzuarit.

Më tej ai iu drejtua direkt gjyqtarit Ibrahimi me fjalët “gjyq i pakujdesshëm, keni kujdes se ka ligj këtu e ka rend”.

Gjyqtari Ibrahimi tha në gjykatë se nuk ndikohet nga reagime të tilla.

“Unë vendosi në bazë të ligjit. Nuk ka tjetër forcë që mundet me ndiku tek unë kur e marr vendimin. Nuk vi unë këtu me dilemë se a çohet dikush me bërtitë apo jo”, tha Ibrahimi.

Pastaj tre policë që ishin të pranishëm në sallën e gjykimit reaguan duke ndaluar tre familjarë të të dënuarit Florim Alija.

Të ndaluarit me inicialet I. G.,  L. A. dhe B. G. më pas u dërguan në dhomat e policisë brenda Pallatit të Drejtësisë.

Ndalimin e këtyre tre personave e konfirmoi për KALLXO.com edhe rreshtorja policore Dafina Gashi, përgjegjësja për siguri në Pallatin e Drejtësisë.

Florim Alija akuzohej se më 15 maj të vitit 2014 rreth orës 16:00 në Prishtinë në Rrugën “Vëllezërit Fazliu”, po sa e ka parë të dëmtuarin Fatbardh Abazi, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme, me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta, duke shtënë në drejtim të tij disa herë me armë zjarri dhe më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/pranon-fajesine-per-vrasje-ne-tentative/

Në mars të këtij viti KALLXO.com kishte shkruar edhe për një rrahje në mes të të  akuzuarve në Pallatin e Drejtësisë.

http://kallxo.com/rrahje-ne-korridor-te-gjykates/