Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK. FOTO: AGK/Facebook.
AGK: Kërcënohet gazetari Agim Ademi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Agim Ademi nga një person në Shtime.
AGK-ja ka bërë të ditur se gazetari i Grupit Koha, Agim Ademi, e ka njoftuar se ka marrë një kërcënim nga një person, S.B., në Shtime.
“Sipas Ademit, ngjarja ka ndodhur në Godanc derisa po përurohej fillimi i punimeve për ndërtimin e çerdhes publike, dhe se ky person i ka thënë se ‘nuk guxon më asnjëherë të shkruash asgjë për kryetarin dhe ekzekutivin në Shtime dhe për njerëzit që funksionojnë rreth tij’.
“AGK-ja e dënon këtë kërcënim ndaj gazetarit Ademi dhe e konsideron si të papranueshëm, dhe pengesë për kryerjen e punës së tij profesionale” – thuhet në reagim.
Sipas AGK-së, nuk është hera e parë që Ademi merr kërcënime të ngjashme.
Gazetari Ademi e ka njoftuar Policinë në Shtime për kërcënimin, dhe AGK-ja u bën thirrje organeve të rendit që ta ndjekin seriozisht rastin, kurse kryetarit të Shtimes që të distancohet publikisht.