Ish-gjyqtari Ibrahimi: Duhet të bëhet profilizimi i gjyqtarëve, jo të gjithë mund të merren me rastet e terrorizmit dhe korrupsionit

Avokati dhe ish-gjyqtari, Hamdi Ibrahimi, e ka parë si shumë të rëndësishëm profilizimin e gjyqtarëve në rastet e terrorizmit dhe korrupsionit në Kosovë.

Sipas Ibrahimit, jo të gjithë gjyqëtarët mund të merren me gjykimin e rasteve të terrorizmit dhe korrupsionit në Kosovë.

“Po flas nga përvoja ime sa kam qenë dhe gjyqtar. Policia e Kosovës ka pasë një kuadër të shkëlqyeshëm, edhe sot i përgëzoj, prokuroria po ashtu ka pasë prokuror të jashtëzakonshëm që kanë përcjellë rastet në mënyrën më të mirë. Edhe gjykata por mendoj që duhet t’i kushtohet një kujdes të veçantë profilizimit të gjyqtarëve. Pa hezitim them që jo të gjithë mund të merren me rastet e terrorizmit dhe korrupsionit. Respekt për të gjithë por ashtu mendoj”- tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Në “Kallxo Përnime” u transmetua hulumtimi i BIRN-it, i cili ka gjurmuar 10 dosje të korrupsionit.

Hulumtimi shpërfaq edhe të dhëna për gjykimet e shpejta në rastet e terrorizmit si dhe dëshmi për proceset ku të dënuar për terrorizëm u liruan para kohe nga burgjet.

Sa u përket dënimeve, Ibrahimi tha se është çështje delikate.

“Është një çështje shumë delikate. Dënimët duhet të ndikojnë edhe te të tjerët që të përmbahen nga kryerja e veprave. Për sa di unë politika ndëshkimore e gjykatave në këtë drejtim nuk është që mund të kritikohet janë dënime mesatarisht, dënimet që janë shqiptu kanë qenë adektuate për veprat që janë kry dhe aty ku kam qenë pjesë jam kujdesur që dënimet të jenë adekuate” – tha ai.

www.kallxo.com