EULEX Shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas
EULEX-i sot ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin, duke i nderuar arritjet e grave në sektorin e sundimit të ligjit, si brenda EULEX-it ashtu edhe në mbarë Kosovën.
Në një komunikatë të lëshuar nga EULEX-i, thuhet se Kosova tashmë ka bërë një rrugëtim të gjatë në këtë drejtim.
“Këtë e bën të qartë amandamentimi dhe zbatimi i ligjit që mundëson kompensime financiare për të mbijetuarit e dhunës seksuale që ndërlidhen me konfliktin. Gjithashtu, Forumi i Gjyqtareve dhe Prokuroreve të Kosovës dhe Shoqata e Grave në Policinë e Kosovës kanë krijuar sisteme mbështetëse për gratë”, thuhet në komunikatë.
Pavarësisht progresit të shënuar, sipas EULEX-it, ende mbetet shumë punë për t’u bërë për të arritur barazi gjinore.
Shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou theksoi se në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, duhet të zotohemi për të punuar bashkërisht drejt ndryshimeve efektive.
“Ndjehemi krenare për arritjet tona të përbashkëta dhe progresin e shënuar, në veçanti në sektorin e sundimit të ligjit, por ne duhet t’i dyfishojmë përpjekjet për t’u përqendruar në rrugën që e kemi para nesh”, tha Papadopoulou.
Në komunikatë më tutje thuhet se EULEX avokon fuqishëm për pjesëmarrjen e grave në ndërtimin e paqes, siç parashihet në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325, në të cilën bëhet thirrje për përfshirje të plotë dhe të barabartë të grave në të gjitha përpjekjet për ruajtjen dhe promovimin e paqes dhe sigurisë.
Në këtë drejtim, Misioni do të vazhdojë me përfshirjen e perspektivës gjinore në aktivitetet e veta të përditshme, përmes punës së rrjetit të tij të Fokus-Pikës për Çështje Gjinore.