Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq

Barbano: EULEX-i është i shqetësuar nga ndalimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës në Serbi

Janë bërë gati 48 orë prej kur zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është ndaluar nga autoritetet e Serbisë.

Për të njëjtin ka reaguar edhe shefi i Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano.

Ai ka thënë se EULEX në Kosovë është i shqetësuar për ndalimin e Jankoviqit.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë që t’u përmbahen parimeve të sundimit të ligjit gjatë gjithë procesit” –  tha Barbano.

Edhe ambasadori i SHBA-s në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i shqetësuar për ndalimin e zëvendësdrejtorit Jankoviq.

Këto deklarata ambasadori amerikan i dha para mediave pas takimit që pati me presidenten Vjosa Osmani më 18.04.2024.

“Jankoviq është i njohur mirë nga Ambasada Amerikane dhe shumë të tjerë. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar. Ai është dikush që e njohim prej shumë vitesh. Ai ka shpenzuar shumë energji dhe kohë në Polici duke ndihmuar shumë në integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ne jemi të shqetësuar dhe shpresojmë që të lirohet shpejtë” – ka thënë ambasadori Hovenier.

 17.04.2024, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njoftoi se 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë) janë ndaluar në kalimet kufitare Merdarë, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

Të gjithë janë liruar, përveç zëvendësdrejtorit i përgjithshëm të Policisë, Dejan Jankoviq. Më 18.04.2024, Kurti ka thënë se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankoviq, vazhdon të mbahet në burg në Serbi.

Hovenier: Jemi të shqetësuar për ndalimin e zëvendësdrejtorit të Policisë, Jankoviq