Kurti për 75 vjetorin e KiE: Ky vit shënon pranimin e Kosovës si vend që i plotëson kriteret për anëtarësim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 75-vjetorin e Këshillit të Europës ka thënë se viti aktual shënon njohjen e Kosovës si vend për t’u bashkuar më këtë organizatë.

Kurti theksoi sërish se Kosova i plotëson kriteret për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës.

“Sot, 75 vjet më parë, u themelua Këshilli i Europës, organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut. Ky vit shënon njohjen e Kosovës si një vend që plotëson kriteret për t’u bashkuar, duke nënkuptuar forcën e demokracisë sonë, sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë tonë të përbashkët ndaj të drejtave të njeriut” – u shpreh kryeministri.

Më 16.04.2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë që merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.

Më 27.03.2024, Kosova bëri hapin e parë pasi Komiteti për Politikë dhe Demokraci miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyyanis, e cila tha se shteti ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në Këshillin e Evropës.

Më pas, më 16.04.2024, raporti dhe rekomandimi i Bakoyyanis u mbështet edhe nga dy të tretat e anëtarëve të Asamblesë Parlamentare.

Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Ministrat pritet të takohen kah mesin e muajit maj në Strasburg të Francës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës, e themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.