Kurti: Në mars do hapim thirrjen për fuqizim ekonomik për gra dhe vajza, familjare të të pagjeturve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit në konferencën e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, njoftoi se gjatë këtij muaji do të hapet thirrja për fuqizim ekonomik për gratë dhe vajzat që janë familjare të personave që ende rezultojnë si persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Në fjalën e tij, Kurti u shpreh se synimi i tyre për barazi e drejtësi nuk ka alternativë.

“Synimi për barazi dhe drejtësi nuk ka alternativë. Ky është edhe shteti për të cilin punojmë çdo ditë, demokrat po, por edhe feminist gjithsesi, dhe këtë e dëshmojmë me politikat tona në përditshmëri. Në secilin dikaster kemi ndërmarr masa për lehtësimin e jetës të vajzave dhe grave. Ne qeverisim me parime social demokrate”- ka deklaruar ai.

“Si kryeministër e përkrahi fuqishëm atë që nuk ka politikë pa gratë dhe jo vetëm gratë në institucione por, politika për to. Politika feministe barazimtare, analizë se sa përfitojnë gratë e sa burrat prej buxhetit të shtetit, vendime sa më të barabarta”- shtoi Kurti.

Kryeministri tha se gratë që kanë kontribuar në luftë dhe para luftës, janë shumë.

“Gratë që kanë kontribuar në luftë dhe para luftës, janë shumë. Gati 25 vjet pas mbarimit të luftës i kujtojmë përditë sakrificat që kanë bërë çdo kategori për shtetin e Kosovës dhe lirinë që e gëzojmë. Disa nuk janë dhe mungojnë që prej luftës në Kosovë, kurse disa e vazhdojnë luftën, sepse për to nuk ka përfunduar, nuk vazhdon vetëm dhimbja por lufta për drejtësi e barazi”- theksoi Kurti.

Kurti ka thënë se sakrificat e grave në luftë, ndër më të mëdha njerëzore, sipas tij nuk mund të shpaguhen financiarisht.

“Këto sakrifica, ndër më të mëdha njerëzore, nuk mund të shpaguhen financiarisht, mirëpo mbështetja jonë duhet të jetë edhe financiare. Sistemi ynë vleror i renditë familjarët e personave të zhdukur lartë në regjistrin e lirisë, këtyre vlerave po u shtojmë edhe masën për mbështetje familjareve, grave dhe vajza të personave që janë zhdukur me dhunë gjatë luftës. Gjatë muajit mars do të hapim thirrjen, për fuqizim ekonomik, për gratë dhe vajzat që janë familjare të personave që ende rezultojnë si personatë zhdukur me dhunë, të pa gjetur që nga lufta e këtej”- tha Kurti.

Më tej, ai tha se Qeveria ka filluar me shtesa për lehona e fëmijë, me ç’rast 45 mijë lehona janë përfituese.