Foto: Ramiz Shala/Facebook

Drejtori i Kulturës i Skenderajt tregon si u aksidentua me veturën zyrtare

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sporit në Komunën e Skenderajt, Ramiz Shala është aksidentuar me veturë zyrtare në vendin ku po bëhen punimet e nënkalimit në rrugën Marinë – Drenas.

“Nuk u aksidentova mbi themele të shtëpisë, por në punimet e nënkalimit që po bëhen në rrugën Marinë-Drenas. Isha në aktivitet të Drejtorisë që udhëheq, aktivitetët e kulturës dhe sportit kryesisht zhvillohen gjatë vikendit dhe kjo është arsyeja pse vetura e Drejtorisë së Kulturës përdoret dhe gjatë vikendit”, ka shkruar Shala në profilin e tij në Facebook.

Ai ka thënë se shkaktar i këtij aksidenti ka qenë mungesa e sinjalistikës në vendin ku po bëheshin punimet.

“Mungesa e sinjalistikës në vend punimet në rrugët e Kosovës ka qenë shkaktar i shumë aksidenteve dhe me fatalite, kësaj radhe unë shpëtova me disa lendime të lehta. Unë nuk kam ra mbi shtëpi por ne objektin e nënkalimit ne fshatin Terstenik të Komunës së Drenasit”, ka shkruar Shala.

Shala ka treguar se nga ky aksident ka pësuar disa lëndime të lehta.

“Të gjithë ata miqtë dhe dashamirët që u brengosen për shëndetin tim i njoftoj se kam shpëtuar me ca lëndime të lehta, falë Zotit jam mirë”, ka përfunduar Shala postimin e tij.