Foto: AAK

‘Drejtim i Ri’ për AAK-në?

Një përpjekje opozitare në Kosovë, e ushqyer me kauza të mëdha politike për disa muaj rresht, ka hyrë në krizë tash e disa ditë.

Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe NISMA janë duke kaluar në një kohë turbullirash pas disa muajve të veprimit si një front i përbashkët opozitar në kundërshtim të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa.

Një protestë e paralajmëruar për 26 mars, për të cilën u investua aq shumë nga këto parti, u anulua një ditë para se të mbahej shkaku i këtyre telasheve të brendshme opozitare në atë që u pa si fillimi i çarjes së madhe të këtij blloku politik pavarësisht se kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, në një konferencë për shtyp kishte thënë se “protesta nuk është anulu, por u shty”.

“Bashkë me opozitën, por kemi dallime. Nganjëherë ma shumë nganjëherë më pak. Kemi dallimet tona, por jemi bashkë në kundërshtim,” kishte thënë  Haradinaj.

Pak ditë më vonë, deputeti i partisë së Haradinajt, PalLekaj, thotë se opozita është e bashkuar në çështjet për të cilat ka krijuar kauzë.

“Ne jemi të bashkuar si opozitë për dy marrëveshje, në kauzën për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për demarkacionin. Ne do të vazhdojmë të bashkuar në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve”, tha ai.

Por, deklaratave  të tyre nuk ju besojnë shumë analistët në vend. Ata mendojnë se më nuk ekzsiton një opozitë e bashkuar.

“Blloku tashmë është përçarë, dhe s’mundemi me fol më për një opozitë të bashkuar, pavarësisht se me deklarata sidomos AAK-ja po përpiqet ta krijojë përshtypjen se nuk ka ndodhur asgjë e rëndësishme pas përplasjes së fundit që i kanë pas me deklarata”, thotë analisti Imer Mushkolaj.

Ai kundërshtimet më të mëdha i sheh mes AAK-së dhe Vetëvendosjes ndërsa mendon se problemi kryesor është programi politik që do ta bëjnë këto parti, si dhe përfshirja eventuale e shoqërisë civile brenda tyre.

“Vazhdoj të mos e kuptoj AAK-në se pse është kundër përfshirjes së një grupi të shoqërisë civile dhe besoj që kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore se pse po ndodhin këto përçarje. Përplasja është  në mes AAK-së dhe VV-së,  dhe në këtë gjë nuk po përfshihet NISMA, sepse e ka fuqinë e vogël dhe natyrisht që në fund do të pozicionohet ku ti bie më mirë”, tha ai për KALLXO.com.

Ndërsa analisti Behlul Beqaj thotë se situata në opozitë është njëjtë sikurse në pozitë.

“Koalicioni i pushtetit po shihet që është formuar vetëm për të ushtruar pushtetin, ndërsa koalicioni i opozitës është bashkuar rreth preteksteve për Zajednicën dhe Demarkacinin, duke synuar që ta kenë pushtetin”, thotë Beqaj për KALLXO.com.

Sipas tij, në këndin e qytetarit, nuk mjaftojnë vetëm pretekstet e përdorura deri më tani nga opozita, për të cilat ajo ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend dhe ka protestuar madje edhe me mjete të dhunshme në rrugë.

“Duhet gjithëpërfshirje për të cilat opozita as nuk ka interesim. I ka përmendur aty- këtu papunësinë e korrupsionin por ato nuk janë shpalosur në kuptimin programor”, shton Beqaj.

Programe apo qëllime të ndryshme qeverisëse ?

Pal Lekaj thotë se opozita do të vazhdojë në dy pikat e tyre të insistojë që qeveria të bie dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Por ai tha se, opozita ka qëndrime të ndryshme programore.

“Kemi dallime programore, politike, dhe këtë mbetet në ditët në vazhdim të sqarohen si opozitë e bashkuar, mirëpo ne nuk kemi hyrë që të mos ruajmë subjektivitetet tona partiake”,thotë ai duke arsyetuar ndasitë që dolën sheshit ditëve të fundit.

Por Lekaj thotë se opozita nuk ka kundërshtime në përfshirjen e shoqërisë civile brenda bllokut.

“E vetmja alternativë që do të jetë në të ardhmen që do të jetë shpresë e qytetarëve për ndryshime pozitive është opozita e bashkuar dhe shoqëria civile që mendojnë ndryshe në krahasim me qeverinë aktuale”, tha ai.

Në lidhje me programet qeverisëse, nuk ka komentuar Lëvizja Vetëvendosje, përveç se ka thanë se do të vazhdojnë me protesta.

“Ne do të  vazhdojmë me protestën tonë, do të intensifikojmë atë, deri në anulimin e marrëveshjeve të dëmshme për Republikën e Kosovës dhe deri në largimin e kësaj qeverie anti-kushtetuese”, tha Adonis Tahiri nga kjo parti.

Por, sipas Mushkolajt, me fillimin e këtyre deklaratave të bllokut opozitar, më nuk ekziston fryma opozitare.

Ai thotë se do të befasohej nëse subjektet opozitare kthehen prapë në frymën e mëhershme.

“Në këtë kauzë, përtej interesit partiak, kemi të bëjmë me interesa personale dhe apetite personale  për marrje të posteve e që pritet të shihet kurdo që zgjedhjet të mbahen”, tha Mushkolaj.

Ndërsa Behlul Beqaj, bashkimin e opozitës e quan një imitim falso.

“Testi i Vetëvendosjes që me AAK-në dhe me Nismën të bëjë ndryshime u dëshmua i pasuksesshëm. Nuk mund t’i bindim qytetarët  e as shoqërinë civile që është krijuar një platformë alternative. Vetëvendosje duhet me i dhënë fund një imitimi të panatyrshëm opozitar”, tha Beqaj.

Por përtej arsyeve të bëra publike tashmë edhe nga vetë partitë opozitare sheh diçka tjetër.

“AAK-ja po sheh plane më të detajuara për në të ardhmen, në kuptimin se mund të jetë partnere me ndonjë parti tjetër, në këtë rast me PDK-në, dhe të ndryshojë plotësisht qasja e saj dhe skena politike në Kosovë”, tha Mushkolaj.

Prandaj ai thotë se Vetëvendosje do të vazhdojë e vetme të veprojë në opozitë ashtu siç e ka bërë edhe më herët, pavarësisht asaj nëse protesta e ardhshme mund të organizohet bashkë me AAK-në.

Por një opsion i tillë, sipas Beqajt, do të nënkuptonte fundin e AAK-së.

“AAK-ja nuk është në pozitë të mirë, por me fajin e lidershipit të AAK-së…  nëse do të kthehej drejt PDK-së, do të ishte katastrofike”, tha ai.

Por kthimi kah PDK-së, sipas Pal Lekaj, nuk është opsion për AAK-në.

“Unë as që mendoj se do të diskutohet koalicioni me këtë qeverisje sepse është  vetëvrasje e Aleancës dhe është fundi i Aleancës nëse hyhet në qeveri. Këto kundërshtime nuk i kemi bërë që të marrim pozita qeverisëse, por i kemi bërë në të mirë të vendit”, thotë Lekaj.