Dënohet ish-këshilltari i Kadri Veselit

Lajmi është konfirmuar nga kryeprokurori i Mitrovicës Shyqeri Syla.

“I akuzuari në fjalë është shpallur fajtor dhe  është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht. Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse i dënuari nuk do kryej vepër penale në dy vjetët e ardhshëm,” tha Syla.

Për procesin gjyqësor foli edhe Mahmut Halimi, avokati i Emir Azemit.

“Vendimi është shpallur dhe  posa të marrim  aktgjykimin e shtypur do të bëjmë ankesë,” tha Halimi.

Sipas tij gjykata nuk ka pasur kurrfarë baze juridike që Emir Azemin ta shpallte  fajtor.

Në muajin qershor emisioni “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se  Azemi ishte i akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës me pretendimin se me 11 prill 2006 u kishte shitur ushtarëve të KFOR-it 6 gramë marijuanë.

http://kallxo.com/keshilltari-i-kadri-veselit-akuzohet-per-shitje-te-droges-te-ushtaret-e-kfor-it/

Gjashtë muaj pas këtij raportimi, Gjykata e Mitrovicës përfundoi procesin gjyqësor ndaj Azemit duke konstatuar se ai është i fajshëm dhe duhet të dënohet me gjashtë muaj burgim me kusht.

Emir Azemi punoi për disa muaj si këshilltar për çështje të veriut për kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

Ai u largua nga ajo pozitë duke ofruar dorëheqjen, ndërsa shpjegimi zyrtar për dorëheqjen e tij ishte se ai kishte disa çështje të pazgjidhura me drejtësinë.