BIRN Kosova sqaron situatën me përmbarimin e borxhit me RTK-në
Pasditen e datës 27.03.2026, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kishte nxjerrë një reagim, në të cilin thoshte se gjendja financiare e RTK-së ishte vështirësuar pas një vendimi përmbarimor me të cilin përmbaruesi kishte tërhequr nga llogaritë e RTK-së rreth 150 mijë euro.
“Tërheqja e mbi 150 mijë eurove nga xhirollogaria e RTK-së në favor të BIRN-it, përmes procedurave përmbarimore, është goditje e drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit financiar të institucionit. Këto obligime të trashëguara po e rëndojnë padrejtësisht buxhetin aktual dhe po e thellojnë krizën”- thuhet në reagimin e publikuar (arkiva) të sindikatës.
Pas këtij publikimi ka rrjedhur deklarata e drejtorit të RTK-së, Rilind Gërvalla, i cili ka deklaruar se mjetet janë tërhequr pa arritjen e një marrëveshje paraprake në mes palëve.
Në anën tjetër, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) ka sqaruar se procesi i përmbarimit të borxhit ishte i ligjshëm duke potencuar se të gjitha palët ishin të njoftuara për procesin, për shkak se për të kishte një proces gjyqësor i cili po zhvillohej që nga viti 2021 në Gjykatën e Prishtinës.
Për më tepër, BIRN Kosova ka sqaruar se marrëveshja në këtë fazë është e pamundur proceduralisht, duke potencuar që gjatë gjithë kohës BIRN Kosova kishte vullnetin që çështja të zgjidhej me marrëveshje mirëpo menaxhmentet e RTK-së kishin vendosur që çështja të shkonte në rrugë gjyqësore me padi dhe më pas me përmbarim të dhunshëm.
Reagimi i plotë i BIRN Kosova:
Pas reagimit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, njoftimit të publikuar në faqen e RTK-së dhe vendimit përfundimtar të Gjykatës së Apelit për përmbarimin e detyrueshëm të borxheve të RTK-së ndaj BIRN Kosovës, organizata jonë ofron këtë sqarim.
BIRN Kosova me shqetësim të madh ka ndjekur këto reagime pas vendimit përfundimtar për përmbarimin e borxheve që RTK ka ndaj BIRN Kosovës qysh nga viti 2019, si dhe fushatën shpifëse nga disa akterë, të cilët në vazhdimësi shpifin për proceset e ligjshme mbi të cilat emisionet tona hulumtuese janë transmetuar në RTK.
BIRN sqaron për opinionin se mjetet e tërhequra përmes përmbarimit të detyrueshëm janë pjesë e obligimeve që RTK ka pasur për bashkëprodhimin e emisioneve Jeta në Kosovë dhe Drejtësia në Kosovë që janë zhvilluar si pjesë e procesit të rregullt gjyqësor që po zhvillohet prej vitit 2021, e që ka të bëjë për borxhin e grumbulluar deri në vitin 2019.
BIRN sqaron se në këtë fazë të procedurës, marrëveshjet për pagesën e borxheve me rata janë të pamundura proceduralisht pasi RTK në vazhdimësi ka refuzuar të bëjë marrëveshje për të përmbushur obligimet.
Shuma prej 151 mijë eurosh përfaqëson borxhe të papaguara për prodhimin e mbi 100 emisioneve hulumtuese, për të cilat RTK ka pasur obligim të mbulojë një pjesë të shpenzimeve.
Sqarojmë për publikun se në buxhetet e RTK-së, për vite me radhë, këto mjete kanë qenë të ndara përmes Ligjit për Buxhetin, por për shkak se menaxhmentet e RTK-së nuk i kanë përmbushur obligimet sipas faturave, borxhet janë grumbulluar, duke na detyruar që çështjen ta dërgojmë në përmbarim.
Pra, për të qenë të qartë, RTK këto mjete i ka marrë nga buxheti i Kosovës dhe me ligjin për RTK-në, TV publik e ka obligim që 20% të buxhetit ta dedikojë për prodhim të emisioneve të pavarura.
Ky obligim ligjor është futur në ligj për RTK-në pikërisht për shkak se është konsideruar që TV publik duhet të ketë zëra alternativ dhe të pavarur si pjesë e programit informativ.
Për informim të opinionit, RTK për disa vite ka kundërshtuar vendimin përmbarimor, duke shkaktuar vonesa të panevojshme në përmbushjen e borxhit.
Gjatë gjithë kohës, BIRN Kosova ka treguar vullnet që pagesat e borxheve të realizohen në këste të përcaktuara, të cilat nuk do të krijonin vështirësi financiare për RTK-në dhe nuk do t’ia rrisnin RTK-së kamatën e borxhit.
Menaxhmentet e kaluara të RTK-së në vazhdimësi i kanë refuzuar marrëveshjet për pagesën me këste.
Mbi këtë bazë, jemi detyruar që mjetet t’i kërkojmë përmes rrugëve ligjore, fillimisht te përmbaruesi e më pas përmes rrugëve ligjore deri në Gjykatën e Apelit.
Pra, menaxhmentet e RTK-së në vazhdimësi ka qenë të njoftuara për këto zhvillime.
BIRN në vazhdimësi është vënë në shënjestër të një fushate të gjerë shpifjesh, të cilat janë iniciuar rreth këtij borxhi, dhe për të cilat deri më tani janë dorëzuar disa padi në gjykatë për shpifje dhe fyerje.
I kujtojmë opinionit se emisionet e pavarura Jeta në Kosovë dhe Drejtësia në Kosovë janë larguar nga skema programore e RTK-së në mënyrë arbitrare.
Po ashtu, u bëjmë thirrje të gjithë gazetarëve që dëshirojnë të raportojnë për këtë çështje, të marrin mundin dhe të na japin të drejtën për t’u përgjigjur, e të mos bien pre e keqinterpretimeve dhe shpifjeve të disa individëve.
Për fund, duam të potencojmë qartë keqardhjen tonë për situatën e krijuar. Duam të potencojmë përkrahjen tonë të fuqishme për një RTK të pavarur, të fuqishme dhe profesionale.