Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Greg Delawie

Delawie Nuk Tërhiqet: Nuk ka Vend për Lotsjellës e Dhunë në Demokraci

Ambasadori amerikan Greg Delawie tha se nuk kërkon falje për mbështetjen ndaj demokracisë  dhe mosdhunës në Kosovë. Delawie shtoi se i qëndron besnik deklaratave të tij se nuk ka vend për lotsjellës dhe dhunë në demokraci e as që ato të përdoren si mjete politike.

Komentet e kryediplomatit amerikan në Prishtinë erdhën në ditët kur deklarata e tij kundër veprimeve opozitare në Kuvend është bërë temë trajtimi në media dhe rrjetet sociale.

“Dhuna në Kuvend dhe në rrugë e kanë lënduar pozitën e Kosovës në botë. Nuk mund të ketë as debat e as të miratohen ligjet që adresojnë korrupsionin nëse Kuvendi nuk mund t’i mbajë seancat e veta”, tha Delawie.

Delawie shtoi se është kritikuar se ai nuk flet rreth korrupsionit në Kosovë, por sipas tij trajtimi i çështjes së korrupsionit është ndër tri prioritetet kryesore të mandatit të tij.

“Korrupsioni është problem madhor, pamundëson përparimin politik, frikëson investimet dhe hapjen vendeve të punës e ç’është më e rëndësishmja gjymton moralin e qytetarëve. Korrupsioni gërryen të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”, shtoi Delawie.

Delawie tha se prokurorët dhe gjyqtarët duhet të punojnë me mund që ta fitonë besimin e publikut duke i ndjekur në mënyrë agresive rastet e korrupsionit dhe duke i dënur e duke i dërguar në burg shkelësit e ligjit. Sipas tij nëse vëertet dëshirojnë që të ndalet korrupsioni atëherë vet qytetarët e Kosovës duhet të thonë “mjaft” ata duhet të dalin hapur që ti raportojnë dhe ti identifikojnë të korruptuarit.

“Luftimi i korrupsionit kërkon shumë punë në fusha të ndryshme. Sa më shumë kohë që kaloj me të rinj dhe profesionistët e rinj aq më shumë bindem se korrupsioni është njëri ndër kërcënimet më të mëdha për të ardhmen e Kosovës”, tha ai.