Gjykimi për vrasjen në Polici - Foto: KALLXO.com

Dëgjohen dëshmitarët e parë në rastin e vrasjes në Rahovec

Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur shqyrtimi kryesor në rastin e të akuzuarit Feriz Hoti, i akuzuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Feriz Hoti akuzohet për vrasjen e Hamdi Jusufit, vrasje që ka ndodhur më 17 maj 2017 në Rahovec.

Në seancën e sotme dëshmuan dëshmitarët Blerim Qollaku dhe Nysret Hoti, ndërsa dëshmitarët Bajram Morina Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera nuk ishin të pranishëm.

Gjykata paraprakisht e njoftoi të akuzuarin se pranimi i fajësisë merret si rrethanë lehtësuese dhe e pyeti të akuzuarin nëse e pranonte fajësinë apo jo. I akuzuari tha se nuk e pranon fajësinë.

Edhe në seancën e mbajtur në dhjetor 2017 i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për veprat që i ngarkohen nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.

Në fjalën hyrëse, prokurori Ali Uka deklaroi se “aktakuza e ngritur kundër të akuzuarit Feriz Hoti, për veprën penale të vrasjes dhe për veprën penale të mbajtjes në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armës, është mbështetur në prova dhe fakte, të cilat do të vërtetohen gjatë administrimit të provave”.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Feriz Hoti, avokati Sefer Morina, në fjalën hyrëse tha se aktakuza është e pabazuar dhe nuk është mbështetur në prova dhe fakte, pasi që, sipas tij, gjatë fazës së hetimeve nuk është vërtetuar ekzistimi i dyshimit të bazuar mirë se i mbrojturi i tij në veprimet e tija mund të ketë kryer veprën penale për të cilën e ngarkon aktakuza.

“E njëjta aktakuzë është e përgjithësuar dhe e bazuar vetëm në dyshime të arsyeshme, i cili dyshim është hipotetik dhe kjo do të vërtetohet gjatë administrimit të provave si dhe konsideroj që i mbrojturi im do të lirohet nga aktakuza dhe të shpallet i pafajshëm”, tha avokati Morina.

http://kallxo.com/deklarohet-pafajshem-per-vrasjen-ne-ratkoc-te-rahovecit/

Kurse, gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Blerim Qollaku deklaroi se nuk ishte i informuar rreth rastit.

Për natën kritike ai tha se gjendej në furrën e tij duke punuar. Furra ishte larg vendit të ngjarjes rreth 200-300 metra dhe se për ngjarjen ishte njoftuar nga vëllai i tij.

Ndërsa dëshmitari Nysret Hoti e mohoi pjesërisht deklaratën e tij në Polici, duke thënë se në natën kritike kishte qenë me një shok, ndërsa sot tha që ka qenë vetëm.

Pastaj sot para prokurorit Ali Uka deklaroi se në lokalin ku ai gjendej kishte hyrë Bajram Morina, duke i thënë se ka dëgjuar dy krisma, 3 persona njëri i shtrirë dhe dy të tjerët duke ikur dhe unë menjëherë kam shkuar në vendin e ngjarjes dhe aty e kam takuar Isuf Hotin, i cili e kishte thirrur Policinë para meje.

Para se të dëgjohen dëshmitarë të tjerë, gjyqtari Gëzim Pozhegu propozoi që së pari të dilet në vendin e ngjarjes, për arsye se sot deklaratat e dëshmitarëve nuk po përputhen me ato në Polici.

Mbrojtësi i të akuzuarit Feriz Hoti, avokati Sefer Morina, propozoi që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet paraburgimi dhe t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, e cila masë, sipas tij, do të jetë e mjaftueshme për sigurimin e zhvillimit të procedurës.

Gjyqtari Gëzim Pozhegu tha se lidhur me këtë propozim do të konsultohet me trupin gjykues dhe do të vendosë nëse do ta aprovojë ose jo propozimin e mbrojtjes.

Prokuroria pretendon se Hoti këto vepra i ka kryer natën e 17 majit të vitit 2017, ku qëlloi drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti pasi dëgjoj zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera, që po tentonin të thyenin derën e marketit “RamaF”, për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe më armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër persona që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kërkon të ndalet duke  i sharë e më pas kur ata vazhdojnë të ikin, ai fillon të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK-47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

Në të shtënën e fundit e qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vendin e ngjarjes, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Po ashtu, gjatë kësaj seance, e dëmtuara Nazife Jusufi deklaroi se kërkon t’i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se kërkon kompensim dëmi.