Gjykimi i Orhan dhe Albert Ademajt - Foto: KALLXO.com

Rasti i vrasjes me thikë në Prizren, me kërkesën e të akuzuarve shtyhet seanca

Të akuzuarit për vrasje, Orhan dhe Albert Ademaj, kanë kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore me qëllim të përgatitjes së tyre për deklarimin rreth akuzës.

Dy vëllezërit Ademaj janë të akuzuar nga Prokuroria se më 1 maj 2020, pas një mosmarrëveshjeje, me dashje dhe me motivin e hakmarrjes, me thikë kanë vrarë Mendim Kurtishajn.

Në seancën e së martës në Gjykatën e Prizrenit ishte parashikuar që të fillojë mbrojtja e të akuzuarve.

Megjithatë, ata argumentuan se nuk janë të përgatitur për seancën aktuale dhe kërkuan shtyrjen e saj.

Avokati i Albert Ademajt, Klodian Krasniqi, deklaroi se duhet më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen e tyre, sidomos pasi njëri prej të akuzuarve ndodhet në paraburgim në Prishtinë.

Kërkesa për shtyrjen e seancës u bë nga i pandehuri Albert Ademaj dhe mbrojtja e tij e përkrahu këtë propozim.

“Para se të deklarohet i mbrojturi im jemi konsultuar dhe i njëjti kategorikisht propozon që seanca e sotme të shtyhet me qëllim të përgatitjes së mbrojtjes së tij. Për arsye se i njëjti pas administrimit të provave video-incizimit po ashtu duke pasur parasysh faktin se i njëjti gjendet në paraburgim në Prishtinë dhe për mbrojtjen ka qenë e pamundur të përgatitet për rrethanat-dhënien e mbrojtjes së këtu të pandehurit Albert Ademaj. Kjo kërkesë është nga i pandehuri Albert Ademaj dhe natyrisht që mbrojtja e përkrah këtë propozim” – tha avokati Klodian Krasniqi.

Po ashtu, i akuzuari Orhan Ademaj kërkoi kohë për të përgatitur mbrojtjen e tij.

Gjykatësja e çështjes, Raima Elezi, paralajmëroi palët që kjo kërkesë ishte një zvarritje e procedurës, megjithatë vendosi të shtyhej seanca e sotme.

Në shqyrtim paraprakisht u shfaq një video-incizimi për ngjarjen, që është bërë në ditën kritike.

Prokurori i çështjes, Genc Nixha, deklaroi se këtu është evidentuar që i ndjeri dhe dëshmitari janë duke udhëtuar me një motoçikletë, kur janë goditur nga automjeti “Golf” i të akuzuarve. Ai theksoi se kjo do të vërtetohet edhe përmes foto-dokumentacionit të Policisë dhe Prokurorisë.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Sylë Hoxha, konfirmoi se nga video-incizimi duket që i ndjeri është goditur nga automjeti ku janë të akuzuarit, jashtë rrugës, në një barishte.

Mbrojtësi i të akuzuarit Orhan Ademaj, Blerim Mazreku, kundërshtoi këto deklarata, duke thënë se nuk ka prova që tregonin për një goditje të motoçikletës nga vetura dhe se rrugët ishin të mbyllura për shkak të një shtëpie.

Ai gjithashtu theksoi se incizimi kundërshtohet nga deklarata e dëshmitarit të Prokurorisë, i cili vuante nga sëmundja e skizofrenisë.

Mbrojtësit propozuan të ftohet një ekspert dhe të dëgjohej dëshmitari, ish-pronari i veturës që përdorej nga të akuzuarit. Megjithatë, Gjykata refuzoi këto propozime të mbrojtësve.

Si rezultat i kërkesës së të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, procesi gjyqësor u shty. Seanca e radhës është caktuar për më 2 nëntor 2023.

Sipas Prokurorisë, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020, në Prizren, në rrugën “Ismail Kryeziu”, tek i ashtuquajturi “Tranziti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje, nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta Mendim Kurtishajn.

Në akuzë thuhet se dy të akuzuarit me veturën e tyre, të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj, e ndjekin M.K., i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M.H.

Tutje sqarohet se kur arrijnë te “Tranziti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë, Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet M. K., dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit.

Pas kësaj me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vjen autoambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se viktima në Emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasja e rëndë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.