Foto: KALLXO.com

Vrasja e 19-vjeçarit në Prizren, Gjykata refuzon një ekspertizë shtesë

Gjykata e Prizrenit ka vendosur të mos pranojë kërkesën e avokatëve mbrojtës për një ekspertizë shtesë në gjykimin e Haxhi Selmanajt, i akuzuar për vrasje.

19-vjeçari E.K. vdiq në janar të vitit 2020 pas një goditjeje me thikë në zemër.

Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi pas një konflikti fizik dhe mosmarrëveshjes mes të akuzuarit dhe vëllait të viktimës, ku Haxhi Selmanaj goditi E.K. me thikë në zemër.

Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, të enjten sqaroi se trajtimi që i është ofruar të akuzuarit është për shkak të përdorimit të substancave narkotike dhe jo për ndonjë problem kronik të shëndetit mendor.

Prandaj, pasi që ekspertizat nuk kanë konkluduar me vlerësime të kundërta, u refuzua propozimi i mbrojtësve Esat Gutaj dhe Sylë Hoxha për një ekspertizë të re.

Në seancën e së enjtes, eksperti i psikiatrisë, Dr. Jeton Zogaj, dha dëshmi lidhur me gjendjen mendore të Haxhi Selmanajt.

Sipas tij, i akuzuari nuk ka çrregullime kronike të shëndetit mendor si pasojë e përdorimit të substancave narkotike.

Avokati i të akuzuarit, Esat Gutaj, pyeti ekspertin nëse Haxhi Selmanaj ishte i vetëdijshëm për veprën që kishte kryer dhe për pasojat e mundshme të saj.

Eksperti, nga ana tjetër, ka deklaruar se në cilësinë e një ekipi ekspertësh nuk kanë gjetur ndonjë indikacion të një problemi të shëndetit mendor të shkaktuar nga përdorimi i drogës.

“Në cilësinë e një ekipi ekspertësh, nuk gjetëm asnjë konstatim apo diagnostikë që të dëshmonte për një problem të shëndetit mendor si pasojë e përdorimit të substancave narkotike. Sa i përket gjendjes mendore dhe aftësisë për të kuptuar rëndësinë e veprës penale dhe për të kontrolluar veprimet e tij, gjendja e tij është vlerësuar si e mirëmbajtur, siç është konstatuar përmes ekspertizës” – deklaroi eksperti Jeton Zogaj.

Po ashtu, eksperti bëri të ditur se Haxhi Selmanaj ka qëndruar në IPFK për një periudhë më shumë se dy muaj, pas së cilës ka kërkuar të transferohej në paraburgim.

Arsyetimi i tij për këtë kërkesë ishte përqendrimi i kufizimeve në shëtitore.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për më 16 janar 2024.

Sipas Prokurorisë, Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26 janar 2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, ka privuar nga jeta E.K.

Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshjeje fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Z. K., vëllai i tanimë viktimës.

Në aktakuzë thuhet se tani i ndjeri ka qenë në market dhe kishte vërejtur se vëllai i tij ishte përfshirë në një konflikt me të akuzuarin. Pasi ai kishte dalë dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit, në një moment Selmanaj e kishte nxjerrë thikën të cilën e ka pasur me vete dhe e kishte goditur në pjesën anësore të gjoksit, në afërsi të zemrës dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar vdekjen viktimës E.K.

Me këto veprime, Haxhi Selmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje.

Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, pa leje valide mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e ftohtë, në kundërshtim me Ligjin për armët dhe atë një brisk hapës me dorezë ngjyrë ushtarake, i cili është sekuestruar

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Rasti është duke u rigjykuar pas kthimit të vendimit në shqyrtim nga Gjykata e Apelit.