"Nanë e pse e vranë babin?” - Rrëfimi i gruas së Agonis Tetajt në Gjykatë
Albesa Cacaj ka dhënë dëshmi në Gjykatën e Pejës në rigjykimin e Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e burrit të saj, Agonis Tetajt.
Një situatë e rëndë emocionale u krijua në seancë kur Albesa Cacaj tregoi për vështirësitë me të cilat po përballet që nga dita kur janë publikuar pamjet e momentit të vrasjes së bashkëshortit të saj.
Kjo pasi që, sipas saj, fëmijët kanë filluar të pyesin se çka i ka ndodhur babait të tyre.
“Në momentin që është shfaqë videoja pa autorizimin tim, fëmijët e mi, përkundër kujdesit që mos me u shfaqë ato pamje para syve, kanë filluar me bo pyetje, dhe unë kam fillu me ua shpjegu situatën edhe pse nuk ka qenë e lehtë, ata me një pyetje të thjeshtë me kanë lënë pa përgjigje: “Nanë e pse e vranë babin?”” – rrëfeu Cacaj sot para trupit gjykues.
Ajo shtoi se kërkojnë që përmes drejtësisë që fëmijët e saj të rriten në paqe e pa presionin e gjakmarrjes.
Cacaj rrëfeu edhe momente kur i ndjeri i kishte treguar për raportet në vendin e punës, ku të akuzuarin sipas saj i ndjeri e kishte përmendur si ‘’jo të edukuar karshi punëtorëve” .
Ajo shtoi se bashkëshorti nuk mund të kompensohej asnjëherë, kur foli lidhur me një pagë prej 500 eurosh që i ishte ndalë nga familja Gogaj, të cilën e ka marrë për 3 vite.
Ajo shtoi se ndalesa e kësaj page ia vështirësuar situatën dhe se për ndaljen e kësaj page është dashur të pyetej ajo si kujdestare ligjore e fëmijëve të saj.
Për ndaljen e kësaj page, familjari nga familja Gogaj tha se familja Tetaj kishin dërguar 3 kërkesa për t’i ndalur pagën të dëmtuarës dhe se ka keqkuptime mes familjeve që duhet të zgjidhen.
Lidhur me kompensimin në kontest civil, Luan Mehmetaj, mbrojtës i viktimave dhe përfaqësues i Albesa Cacajt, në Gjykatë tha se deri në përfundim të procesit gjyqësor do të kërkojnë kompensim konform procedurave.
Përveç gruas së të ndjerit u dëgjuan edhe 6 dëshmitarë, të cilët mbetën në tërësi pranë deklarimeve të cilat i kishin bërë para Gjykatës, Policisë dhe Prokurorisë, duke mos patur asgjë të shtojnë.
Trupi gjykues i cili gjykon dhe një herë këtë rast përbëhet nga Violeta Husaj-Rugova – kryesuese, Shaqe Curri dhe Sami Sharaxhiu – anëtarë të trupit gjykues.
Shaban Gogaj në seancën e parë të rigjykimit të mbajtur më 28 shtator të këtij viti nuk kishte pranuar fajësinë për veprën penale – vrasje e rëndë.
I akuzuari kishte thënë se po të akuzohej për vrasje nga pakujdesia do ta pranonte fajësinë
Në këtë proces gjyqësor së bashku me Gogajn i akuzuar është edhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje, gjë për të cilën Cacaj kishte pranuar fajësinë.
Shaban Gogaj nga Gjykata e shkallës së parë më 12 tetor të vitit 2022 ishte dënuar me 7 vite e gjysmë dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje.
Me këtë vendim Apeli nuk ishte pajtuar duke e kthyer rastin në pikën zero.
Çka thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.