Gjykimi per vrasje te rende-Foto: KALLXO.com

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve për vrasjen me thikë në Prizren, mbrojtja lirimin e tyre

Për rastin e vrasjes me thikë në Prizren të ndodhur më 1 maj 2020, Prokuroria ka kërkuar dënimin e të akuzuarve, Orhan dhe Albert Ademaj, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin e tyre.

Dy vëllezërit Ademaj po akuzohen se pas një mosmarrëveshjeje, me dashje dhe me motivin e hakmarrjes, me thikë kanë vrarë 23-vjeçarin Mendim Kurtishaj.

Në seancën e së martës në Gjykatën e Prizrenit, prokurori Genc Nixha ka bërë të ditur se sipas ekspertizës mjekoligjore dhe raportit të autopsisë është vërtetuar se vdekja e Kurtishajt është si rezultat i një goditjeje me thikë në zemër.

Ai theksoi se provat, foto-dokumentacioni dhe shkresat e lëndës e konfirmojnë këtë fakt.

“Nga ekspertiza mjekoligjore dhe raporti i autopsisë është vërtetuar se vdekja e të ndjerit Mendim Kurtishaj ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes masive e shkaktuar si pasojë e shpimit të muskulit të zemrës-ana e djathtë e shkaktuar nga goditja me mjet i cili posedon maje dhe teh” – deklaroi prokurori Nixha.

Sipas Prokurorisë, deklarata e Orhan Ademajt tregon se thika e përdorur për vrasje është hedhur në vendin e ngjarjes.

Nixha theksoi se duke analizuar të gjitha këto fakte është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer vrasjen me dashje dhe në bashkëkryerje.

“Nga të gjitha këto prova të vërtetuara në shqyrtim gjyqësor pa mëdyshje është vërtetuar pretenca e akuzës se këtu të akuzuarit Orhan dhe Albert Ademaj me dashje dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë” – deklaroi Nixha.

Përfaqësuesi i të dëmtuarit, avokati Sylë Hoxha, ka kërkuar një dënim sa më të rëndë për të akuzuarit, duke argumentuar se vrasja e 23-vjeçarit shkaktoi dhimbje të madhe për familjen e tij. Ai theksoi rëndësinë e provave, duke përfshirë fotodokumentacionin, video-incizimet dhe mendimin e ekspertit ligjor.

“Data 1 maj 2020 shënoi një nga ditët më të kobshme për familjen Kurtishaj, ngase pa asnjë arsye nga këtu të akuzuarit Orhan dhe Albert Ademaj, i ndjeri Mendim Kurtishaj u ekzekutua për vdekje dhe kjo shkaktoi dhimbje të madhe për familjen Kurtishaj – nënën, vëllezërit dhe motrat e që kjo dhimbje i përcjell deri sa të jenë gjallë familja” – tha avokati Sylë Hoxha.

Avokati Hoxha më tej konsideroi se pas seancave gjyqësore dhe pas administrimit të provave në këtë çështje është vërtetuar gjendja faktike ashtu siç përshkruhet në akuzën e Prokurorisë.

“Duke u bazuar në gjendjen faktike dhe shkresat e lëndës, i propozojmë Gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë për veprën penale – vrasje e rëndë dhe t’i shqiptojë dënim me burg sa më të rëndë në përputhje me kryerjen e veprës penale” – tha avokati Hoxha.

Mbrojtja, në anën tjetër, ka kërkuar aktgjykim lirues për Albert Ademajn, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme që ai ka kryer veprën për të cilën është akuzuar.

Avokati Klodian Krasniqi tha se veprimet e klientit nuk përputhen me akuzat dhe nuk janë provuar me asnjë fakt bindës.

Mbrojtësi ka shtuar se kualifikimi i veprës penale me të cilën akuzohet Albert Ademaj me vrasje të rëndë nuk ka të bëjë me të pasi që ai nuk kishte ndërmarrë veprime të përshkruara si në akuzë si dhe këto veprime nuk përkonin me provat dhe veprimet e tjera të administruara.

“Përshkrimi i veprave të ndërmarra në akuzë kinse i mbrojturi im i ka ndërmarrë nuk qëndron, ngase në vendin e ngjarjes nuk ka veprime të kundërligjshme dhe ky dyshim nuk është vërtetuar me asnjë provë bindëse. Pra i njëjti përkundër faktit se në rastin konkret është munduar që t’i shmanget sulmit me thikë nga personi Mendim Kurtishaj, pra Albert Ademaj nuk ka kontribuar me asnjë veprim negativisht për të ardhur deri te vrasja” – deklaroi avokati Klodian Krasniqi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Orhan Ademaj, avokati Blerim Mazreku, para fjalës përfundimtare kërkoi nga Gjykata të vendosë lidhur me propozimin për sigurimin e video-incizimit nga seanca e fundit.

Ai nuk ka vazhduar me fjalën përfundimtare, ndërsa shqyrtimi i radhës është caktuar për më 30 nëntor 2023.

Sipas Prokurorisë, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020, në Prizren, në rrugën “Ismail Kryeziu”, tek i ashtuquajturi “Tranziti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje, nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta Mendim Kurtishajn.

Në akuzë thuhet se dy të akuzuarit me veturën e tyre, të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj, e ndjekin M.K., i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M.H.

Tutje sqarohet se kur arrijnë te “Tranziti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë, Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet M. K., dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit.

Pas kësaj me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vjen autoambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, me ç’rast është vërtetuar se viktima në Emergjencë ka arritur pa shenja jete.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasja e rëndë.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi me anëtarët gjykatës- Luan Berisha dhe Alija Fazliji. Aktakuza përfaqësohet nga prokurori Genc Nixha.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.