Vrasja për hakmarrje në Pejë – I akuzuari del para Gjykatës së Apelit
Xhevdet Januzaj, i akuzuar për vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme ka dalë sot para kolegjit të Gjykatës së Apelit në seancën e mbajtur lidhur me aktgjykimin me të cilin i njëjti u dënua për vrasjen e viktimës G.K.
Në korrik të këtij viti Gjykata e Pejës e kishte dënuar Januzaj me 10 vite burgim duke rikualifikuar veprën nga vrasja e rëndë në vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.
Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues në përbërje prej Murat Hulaj – kryetar, dhe Nushe Kukaj- Mekaj dhe Arben Mustafaj – anëtarë.
Mirëpo, me këtë aktgjykim nuk ishin ndarë të kënaqur as Prokuroria, as mbrojtja e as familja e viktimës, me ç’rast secili prej tyre kishte apeluar vendimin e tillë.
Kolegji i Apelit në këtë çështje kryesohet nga Beqir Kalludra dhe përbëhet nga anëtari i kolegjit Zyhdi Haziri dhe gjyqtari referues Xhevdet Abazi.
Prokuroria ankesën e bërë e ka bazuar në shkelje esenciale të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe për shpenzime procedurale.
Aktakuza Januzajn e ngarkon me veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa me rastin e shpalljes së aktgjykimit trupi gjykues i shkallës së parë e rikualifikoi veprën në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.
E fokusi i ankesës së Prokurorisë kryesisht ndodhet pikërisht në këtë rrethanë.
Kështu, Prokuroria ka kërkuar nga Apeli që të akuzuarin ta dënojë për veprën penale Vrasja e Rëndë dhe ta dënoj me dënim maksimal.
Në seancën e sotme nuk prezantoi askush nga Prokuroria e Apelit për të elaboruar ankesën.
Të njëjtën kërkesë si të organit ndjekës e parashtruan edhe familja e viktimës me ankesën e parashtruar përmes përfaqësuesve të tyre, Osman Havolli dhe Agron Selimaj.
Përmes ankesës ata kërkuan që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet ashtu që Xhevdet Januzaj të shpallet fajtor për Vrasje të rëndë dhe të i shqiptohet dënim maksimal, apo që çështja të kthehet në rigjykim.
Për të shtjelluar ankesën e anës së dëmtuar në seancën e sotme prezantoi avokati Havolli.
I njëjti në seancë u thellua në aspektin e mbrojtjes së nevojshme dhe narrativës se një institut i tillë nuk mund të aplikohet në këtë rast.
“Ky rast ka ekzistuar në një lloj provokueshmërie të vazhdueshme edhe ligji dhe praktika gjyqësore e ka thënë që dy persona nëse gjendjen në kundërligjshmëri nuk mund të thirren në institutin e mbrojtjes së nevojshme. Në rastin e dhënë kjo ka vlejtur sikurse për njërin edhe për tjetrin” – u shpreh Havolli.
Ankesë ka parashtruar edhe mbrojtja e Januzaj e cila është mbështetur në të gjitha bazat ankimore dhe ka kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim.
Përmes ankesës së përpiluar nga avokati Esat Gutaj, mbrojtja ka paraqitur pretendimet e veta se aktgjykimi i ankimuar ka shkelje esenciale absolute, gjendja faktike nuk është vërtetuar dhe e drejta materiale është zbatuar gabimisht në dëm të Xhevdet Januzaj.
Në seancë si zëvendësim i avokatit Gutaj, ankesën e shtjelloi avokati Asdren Saramati.
“Mbesim pranë ankesës së ushtruar në këtë gjykatë me datë … konsiderojmë se të gjitha pretendimet ankimore janë të bazuara andaj i propozojmë gjykatës që e njëjta ankesë të aprovohet” – tha Saramati.
Në seancë prezent ishte edhe vetë Xhevdet Januzaj i cili qëndroi prapa fjalës së avokatit Saramati.
“Mbetem pranë avokatit” – tha i akuzuari Januzaj.
Historiku i rastit
Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Xhevdet Januzaj me paramendim ka provokuar sulmin dhe ka privuar nga jeta G.K. për motive hakmarrjeje të paskrupullt.
Dosja thotë se qëllimi ka qenë hakmarrja lidhur me një sulm fizik që i kishte bërë djali i viktimës – E.K. i cili tashmë mban epitetin e palës së dëmtuar në këtë procedurë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, arsyeja e kësaj përleshjeje kishte qenë sulmi seksual që Xhevdet Januzaj kishte kryer kundër motrës së mitur të E.K..
Për këtë sulm, Januzaj ishte shpallur fajtor dhe i ishte shqiptuar dënim me burgim prej tre vjet e gjysmë.
Tutje dosa shtjellon se i akuzuari ishte pajisur me armën e tij me të cilën ka shkuar në Pejë për të vëzhguar lëvizjet e viktimës në afërsi të banesës së tij, e sipas fqinjëve ka pasur një sopatë teksa e priste viktimën dhe familjarët e tij në një lokal të afërt.
Pas njoftimit të fqinjëve, viktima ka kërkuar mbrojtje nga ana e Policisë por që kërkesa e tillë ka qenë e pasuksesshme.
Më pas viktima kishte shkuar në lokalin ku ndodhej i akuzuari dhe e ka udhëzuar të largohet nga aty duke iu drejtuar me fjalët: “Çu ec prej këtuhit!”, me ç’rast i akuzuari nuk ishte bindur. Kështu viktima ka nxjerrë armën e vet me të cilën tenton të shtijë mbi të akuzuarin por që e njëjta bllokohet.
Në këtë moment, i akuzuari me armën e tij e qëllon viktimën gjithsej trembëdhjetë herë duke e lënë të vdekur në vend.
Aktakuza thotë se kjo kishte ndodhur në intervalin kohor kur i akuzuari ishte liruar nga Gjykata e Pejës për t’u mbrojtur në liri gjatë procedurës gjyqësore lidhur me sulmin seksual.
Duke u bazuar në këtë përshkrim, Prokuroria e ka ngarkuar Xhevdet Januzajn me veprën penale të vrasjes së rëndë.
Po ashtu lidhur me mjetin e vrasjes, Prokuroria ka ngritur akuzë për përdorim të armës apo të mjetit të rrezikshëm.