
Vrasja në Ferizaj, Gjykata refuzon kërkesën e mbrojtjes për ekzaminim ndërkombëtar të telefonit të viktimës
Një pjesë e seancës së sotme të gjykimit të Qëndrim Januzit, i akuzuar për vrasje të rëndë të Gazmend Hysenit, është mbyllur për publikun.
Kjo pasi që në seancë u shfaqën pamje të momentit të vrasjes që ka ndodhur në muajin maj të vitit të kaluar në Ferizaj.
Përfaqësuesi i familjes Hyseni, avokati Bekim Sylejmani, kërkoi të përjashtohet publiku kur të shfaqen pamjet, me arsyetimin se ato janë të ndjeshme, veçanërisht për palën e dëmtuar.
Gjykata vendosi për publikimin e këtyre pamjeve në seancë të mbyllur edhe pse Florin Vërtopi, avokat i të akuzuarit, kishte kërkuar që pamjet të shfaqeshin në seancë të hapur.
“Nuk i frikësohemi të vërtetës. Këto pamje kanë qenë të shpërndara edhe në internet”- u shpreh avokati në seancë.
Trupi gjykues ndërkaq e ka refuzuar kërkesën e avokatit Vërtopi për ekzaminim ndërkombëtar të telefonit të viktimës.
Në këtë seancë, avokati Vërtopi propozoi dëshmitarë e prova materiale, përfshirë raporte mjekësore e fotografi.
Propozimet e tij u aprovuan pjesërisht nga gjykatësi Habib Zeqiri.
Propozimet të cilat u aprovuan ishin dëgjimi i ekspertit Fahri Drevinja, dhe i dëshmitarëve Besnik Berisha, Labinot Larinovci e Rinor Zymeri.
Kurse, rikonstruimi i vendit të ngjarjes dhe fotografitë e propozuar, e ekzaminimi ndërkombëtar i telefonit të viktimës Gazmend Hyseni ishin propozimet e tjera që i bëri avokati i të akuzuarit por që u refuzuan me arsyetimin se nuk janë relevante për ndriçimin e çështjes konkrete.
Në këtë seancë nuk u paraqit kësaj radhe i dëmtuari Vehbi Hyseni, babai i Gazmend Hysenit.
Gjykimi ndaj të akuzuarit do të vazhdojë më 13 tetor.
Ai ngarkohet me veprën penale – vrasje e rëndë, dhe – armëmbajtje pa leje.
Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet se më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, para hyrjes së marketit “E… M…”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje e ka privuar nga jeta Gazmend Hysenin, duke shtënë 6 herë në drejtim të tij me armë zjarri.
I akuzuari Qëndrim Januzi ndodhet në paraburgim që nga ndodhja e ngjarjes, me kërkesë të Prokurorisë.
Seanca për caktimin e paraburgimit ishte mbajtur në spitalin ku po qëndronte i dyshuari, për shkak se në natën kritike ishte goditur me plumb nga njëri nga policët, pas mosbindjes së urdhrave të tyre.
Plagosja e tij kishte ndodhur kur një njësi e Policisë po kalonte në afërsi të vendit të ngjarjes meqë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, me ç’rast policët intervenuan në rastin në fjalë dhe pas mosbindjes e plagosën të dyshuarin Januzi.
Ndaj zyrtarit policor që ka kryer plagosjen e të dyshuarit Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur hetimet.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.