Prokuroria Themelore në Pejë

Deçan, aktakuzë ndaj katër personave për grabitje në depo ndërtimore

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për grabitje e cila ka ndodhur para dy viteve në Isniq të Deçanit.

Sipas prokurorisë të pandehurit, A.N, M.P, Xh.Th, dhe S.G, me datën 30 nëntor të vitit 2017 dhe datën 15 prill të vitit 2018, në bashkëkryerje kishin grabitur dy herë një depo të materialeve ndërtimore, pronë e të dëmtuarit V.M, në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit.

Në rastin e datës 30 nëntor të vitit 2017, katër të pandehurit, në bashkëkryerje duke hyrë në depon e materialeve ndërtimore “Lira-M”, të maskuar dhe të armatosur, fillimisht e shtrinë për tokë rojën e depos, të dëmtuarin B.SH, dhe arrijnë t’i marrin shumën prej 2 mijë euro dhe një qafore të arit në vlerë prej 800 euro.

Pas vjedhjes, të pandehurit ia lidhin duart të dëmtuarit pas shpinës dhe me çelës ia mbyllin derën e depos dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Kurse në rastin e datës 15 prill të vitit 2018, sipas aktakuzës, katër të pandehurit, A.N, M.P, Xh.Th, dhe S.G, në bashkëkryerje të pajisur me maska në fytyrë dhe armë, në të njëjtën depo të materialeve ndërtimore, pasi hyjnë  brenda depos së lartcekur, e godasin dhe e lidhin rojën e depos, të dëmtuarin Xh.Z, ku me pas arrijnë të marrin shumën e të hollave prej 300 euro dhe disa pajisje tjera në vlerë prej 200 euro.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën  penale e cila ju vihet në barrë.​